E Shtunë, 31 Tetor 2026

Presidenti serb Boris Tadiç do të vizitojë Tiranën

29/03/2010 Shqipëri-Serbi, pritet rritja e kontakteve në nivele të larta

Marrëdhëniet mes vendeve konsiderohen ende të paqëndrueshme

Presidenti i Republikës së Serbisë, Boris Tadiç, do të zhvillojë një vizitë zyrtare në vendin tonë. Edhe pse nuk është bërë e ditur një datë konkrete kur do të bëhet kjo vizitë, mësohet se një gjë e tillë është një ndër pikat prioritare të axhendës së kreut të shtetit serb. Ky lajm, i cili është bërë publik nga radio serbe me seli në Beograd B92, që në vlerësimet e saj ka konsideruar si historike vizitën në fjalë, pritet të ndodhë më vonë gjatë këtij viti. Takimet që Presidenti Tadiç pritet të ketë me krerët më të lartë të shtetit shqiptar, do të jenë në funksion të bashkëpunimit rajonal dhe forcimit të marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Serbisë. Kjo vizitë do të kontribuonte në afrimin më shumë të dy vendeve, raportet e të cilave prej shumë vitesh kanë qenë të ngrira dhe tepër të acaruara, për shkak të çështjes së Kosovës. Ardhja e Presidentit serb në vendin tonë do të zhvillohet pas vizitës që zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Ilir Meta, ka bërë mesin e këtij muaji në Beograd. Gjatë kësaj vizite, shefi i diplomacisë shqiptare ka zhvilluar një takim kokë më kokë me Tadiçin. Mësohet se një ndër temat e diskutuara ka qenë edhe kjo vizitë e pritshme në Tiranë. Pas kësaj vizite numri dy i Qeverisë shqiptare ka deklaruar se mes dy vendeve do të vazhdojnë shkëmbimet e vizitave zyrtare. “Shkëmbime vizitash do të ketë në vazhdimësi, në nivelet më të larta dhe natyrisht që Presidenti Tadiç është i mirëpritur të vizitojë Shqipërinë”, ka deklaruar ai. Por më e rëndësishme për ministrin e Jashtëm është se e vetmja rrugë që dy vendet kanë përpara është rruga e bashkëpunimit. Zyrtarë të lartë të të dy vendeve kanë theksuar se prioritet i politikës së jashtme të dy vendeve është bashkëpunimi, forcimi i marrëdhënieve dhe integrimi në Bashkimin Evropian.

Kosova në mes

Pavarësia e Kosovës ka qenë dhe mbetet pika ku ndahet Tirana dhe Beogradi zyrtar. Gjatë viteve të fundit, para 17 shkurtit 2008, kur në Prishtinë u shpall pavarësia e Kosovës, diplomacia shqiptare ka lobuar fuqishëm në mbështetje të kësaj çështjeje. Lobimi vazhdoi edhe pas atij momenti historik, duke kërkuar nga vende të shumta në botë njohjen e shtetit të ri të Kosovës. Ndërkohë, Serbia ka kundërshtuar me forcë pavarësinë e Kosovës, të cilën e konsideron një krahinë të saj. Edhe gjatë vizitës së ministrit Meta në Beograd, është parë qartë dhe pohuar nga palët mospajtimi rreth kësaj çështjeje tepër të rëndësishme.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›