“Presidenti ta moderojë dialogun në përputhje me ligjet”
Flet juristi Kristaq KumeNë një kohë kur mazhoranca dhe opozita deklarohen të hapur për t’u ulur në një tryezë të përbashkët me kreun e shtetit në zgjidhje të krizës politike, juristët shprehen prerazi në qëndrimin e tyre kur thonë se produkti që do të dalë nga ky takim, duhet të jetë i bazuar vetëm në Kushtetutë. Për juristin Kristaq Kume, Presidenti Topi duke qenë garanti i ligjit themeltar të shtetit duhet të respektojë këtë parim ndaj të cilit shprehet ai, nuk mund të negociohet pavarësisht pretendimeve të palëve. “është detyrë e presidentit të Republikës që mekanizmat ligjorë që atij i jep në dorë Kushtetuta, të ndërhyjë për të zgjidhur problemin. Të moderojë takimin e tyre, në kuptimin, që zëniet që ata mund të propozojnë, zgjidhjet që ata vendosin të realizojnë, të jenë gjithmonë dhe vetëm në përputhje me legjislacionin shqiptar, në përputhje me Kushtetutën e vendit. Nëse zgjidhjet nuk do të jenë konform Kushtetutës, këto nuk janë zgjidhje. Pra do të thotë se problemi nuk zgjidhet. Nuk ka zgjidhje jashtë Kushtetutës, ka vetëm zgjidhje në respekt dhe në plotësim të germës dhe të frymës së Kushtetutës”- u shpreh Kume. Madje ai shkon më tej, kur thotë se kreu i shtetit është i vonuar në ndërmarrjen e iniciativave për moderimin e kësaj situate, që mban prej disa muajsh opozitën jashtë parlamentit dhe nuk duhet të priste rekomandimet e rezolutës së Asamblesë Parlamentare të KiE për vendosjen e dialogut politik mes pozitës dhe opozitës.“Presidenti Topi duke qenë garanti i Kushtetutës dhe mbi palët, duhet të negociojë konform ligjeve dhe Kushtetutës, kurrsesi palët nuk duhet të ulen në bisedime cilado qofshin me kushte që bien ndesh me dispozitat e ligjit themeltar të shtetit. Pasi në të kundërt nuk zgjidhim gjë, Sërish do të mbetemi në krizë. Madje Presidenti është i vonuar në këtë gjë dhe nuk kishte përse priste sugjerimet e rezolutës së Asamblesë së KiE”, u shpreh ai. Qëndrimi i juristëve vjen në një kohë kur vetë kreu i shtetit ka deklaruar se mbetet i hapur për të negociuar mes palëve në respekt të Kushtetutës. Ndërkaq si selia blu ashtu dhe ajo rozë shprehen të gatshme për vendosjen e një bashkëpunimi mes mazhorancës dhe opozitës, por në pozicione diametralisht të kundërta. Për demokratët gjithçka mund të negociohet përveç vendimeve të gjyqësorit, ndërsa socialistët ritheksojnë kërkesën e tyre të hapjes së kutive në këmbim të uljes në karriget e lëna bosh prej 5 muajsh në Kuvend....