Presidenti, takimi Rama- Berisha pritet të dielën
TIRANE- Kryeministri, Sali Berisha dhe kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama pritet të takohen të dielën, sipas Vizion Plus. Televizioni Vizion Plustransmeton se Rama dhe Berisha do të takohen të dielën një ditë përpara mbajtjes së raundit të dytë të votimit për Presidentin e ri të Republikës.
Sipas V+, modalitetet e takimit ende nuk janë mësuar, por takimi, nësë do të zhvillohet, pritet të mbahet në Kryesinë e Kuvendit të Shqipërisë aty ku janë zhvilluar deri në këto momente konsultimet për emrin e Presidentit të ri.
Kryeministri Berisha disa herë është shprehur kundër takimit të tij me kreun e opozitës, me arsyetimin se kjo nuk do të shërbente për asgjë, ndaj takimet duheshin mbajtur në nivel ekspertësh. Rama ndërkaq, e ka kërkuar me ngulm një takim me kreun e maxhorancës.
Sot, kreu socialist, Rama është takuar me emrin e propozuar nga maxhoranca për kreun e shtetit, anëtarin e Gjykatës Kushtetuese, Xhezair Zaganjori, me kërkesë të këtij të fundit. Por edhe nga ky takim, Zaganjori nuk e ka marrë mbështetjen e opozitës. Kreu i LSI-së, Ilir Meta është shprehur pro takimit Berisha- Rama, pasi sipas tij, ky takim do të përshpejtonte procesin e zgjedhjes së Presidentit, si dhe progresin me reformat e tjera.
Votimi i rradhës për zgjedhjen e Presidentit do të bëhet më të hënen, me 4 qershor.