Presidenti, takohen Berisha, Rama, Meta e Idrizi

Ka nisur rreth orës 19:30 në kryesinë e kuvendit takimi mes liderëve kryesorë politikë, Sali Berisha, Edi Rama, Ilir Meta si dhe kreu i PDIU-së Shpëtim Idrizi, prania e të cilit ka qenë e papritur në këtë tryezë negociatash. Në takim janë të pranishëm edhe dy krerët e grupeve parlamentare, Astrit Patozi dhe Gramoz Ruçi.
Disa nga emrat e përfolur si kandidatë politikë për postin e presidentit nga ana a mazhorancës janë Arben Imami, Bujar Nishani, Petraq Milo dhe Artan Hoxha ndërsa si kandidatë nga fusha e drejtësisë janë Ledio Bianku, Edmond Islamaj, Vitore Tushe dhe Admir Thanza.
Vetëm pak minuta përpara takimit me kreun e opozitës Edi Rama, kryeministri Berisha është takuar paraprakisht në kryeministri me aleatët e koalicionit qeverisës, ku është diskutuar edhe për një kandidat për postin e kreut të ri të shtetit.
Takimi mes disa prej partive parlamentare në vend vjen vetëm dy ditë pas dorëheqjes së kandidatit të mazhorancës për president, Xhezair Zaganjori, që u refuzua që në fillim nga opozita si një kandidaturë e njëanshme.
Ditën e hënë pritet që të zhvillohet edhe raundi i katërt dhe i parafundit për votimin e kandidaturave për zgjedhjen e Presidentit të ri të vendit.