Presidenti i ri, takohen partitë parlamentare
Tre liderët kryesorë të politikës shqiptare, Sali Berisha, Edi Rama, Ilir Meta si dhe kreu i PDIU-së Shpëtim Idrizi janë takuar në ambjentet e kryesisë së Kuvendit, për të diskutuar në lidhje me zgjedhjen e kreut të ri të shtetit.
Në takim janë të pranishëm edhe dy krerët e grupeve parlamentare, Astrit Patozi dhe Gramoz Ruçi.
Vetëm pak minuta përpara takimit me kreun e opozitës Edi Rama, kryeministri Berisha është takuar paraprakisht në kryeministri me aleatët e koalicionit qeverisës, në lidhje me një kandidat për postin e kreut të ri të shtetit.
Takimi Rama-Berisha- Meta vjen vetëm dy ditë pas dorëheqjes së kandidatit të mazhorancës për president, Xhezair Zaganjori, që u refuzua që në fillim nga opozita si një kandidaturë e njëanshme.
Ditën e hënë pritet që të zhvillohet edhe raundi i katërt dhe i parafundit për votimin e kandidaturave për zgjedhjen e Presidentit të ri të vendit.