E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lidhja e Prizrenit përkujtohet me “një Abetare”!

Me rastin e kësaj dite, në Prizren erdhi nga Prishtina kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ndërsa nga Tirana, kryeministri i Shqipërisë Sali Berisha. Sot, pas 134 vitesh, Shqipëria e Kosova janë ende të ndarë, ndërsa vetë shqiptarët deri më tani kanë krijuar vetëm një abetare të përbashkët pas kaq vitesh.

Në fjalën e tij, kryeministri Berisha e cilësoi këtë ngjarje si kulmore për historinë e vendit, kur shqiptarët e të gjitha krahinave u mblodhën nën moton “Një komb, një qëndrim”. “Lidhja e Prizrenit përbën mrekullinë më të madhe shqiptare të të gjitha kohërave. Kohërat në të cilën udhëheqësit e trevave shqiptare u mblodhën ishin kohërat më të vështira. Evropa e asaj kohe po vendoste eliminimin e shqiptarëve si nocion politik, po vendosnin dobësimin e kombit, po vendosnin që trojet e shqiptarëve të shndërroheshin në plaçkë tregu në gjenocide”, theksoi Berisha.

Ai shtoi se burrat nga të gjitha trevat do të mblidheshin këtu të bindur se bashkimi i kombit ishte rruga e vetme për t’u përballur me mënxyrat që po gatuheshin në Berlinin e asaj kohe, teksa nënvizoi se Lidhja i doli të përballej me pushtetet e vullnetet e liga të fqinjëve.  “Ndaj edhe sot çdo shqiptar kudo që është përulet me nderim të thellë para këtij tempulli ku lindi kombi shqiptar si nocion politik ku lindi ideali i bashkimit në një shtet të vetëm, ku lindi ideali “një komb, një qëndrim” që do u diktojë rrugën shqiptarëve për të sakrifikuar për liritë e tyre”, tha kryeministri.

Sipas tij, Kosova nxori trima që luftuan për lirinë e saj. “Çdo shqiptar ka vetëm një fjalë faleminderit Kosovë, faleminderit Prizren, se lidhja e Prizrenit ishte kryefjaja që do u paraprinte përpjekjeve të shqiptarëve për liri dhe dinjitet. Faleminderit Kosovë që lindi ushtria shqiptare për t’u dalë zot trojeve të veta, se këtu u organizuan kryengritje gjigante që sollën pavarësinë e Shqipërisë, faleminderit Kosovë që nuk u përkule kurrë dhe solle pavarësinë e Kosovës, faleminderit që nxore burra të mëdhenj si Mic Sokoli, Azem e Shote Galica, legjenda të trimërisë; djemtë e vajzat e tua që vaditën me jetën e gjakun e tyre lirinë mbi të cilën ne qëndrojmë sot të lirë, çliruan Kosovën njëherë e mire dhe ne të qëndrojmë të lirë, të këndojmë këngën e lirisë dhe të ndërtojmë të ardhmen që meritojmë”, vijoi ai.

Kryeministri Berisha kërkoi nga fqinjët që të çlirohen nga paragjykimet për shqiptarët. “Ftoj fqinjët të çlirohen nga paragjykimet mbi shqiptarët e të përpiqemi së bashku të ndërtojmë të ardhmen evropiane si e ardhmja më e shkëlqyer e shqiptarëve, maqedonasve dhe serbëve”, përfundoi.

Ndërsa kryeministri i Kosovës, Thaçi tha se Lidhja forcoi unitetin e kombit dhe i dha kuptim pavarësisë së Shqipërisë. “Pavarësia e Kosovës korrigjoi padrejtësinë historike ndaj shqiptarëve, i dha kuptim Lidhjes së Prizrenit, pavarësisë së Shqipërisë dhe forcoi kombin shqiptar. Në 134 vjetorin e Lidhjes së Prizrenit e cila festohet në vigjile të 100 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë, Kosova përmbyll fazën e pavarësisë së mbikëqyrur”, nënvizoi Thaçi.

Si hapa të rëndësishëm, ai përmendi abetaren e përbashkët që është formësuar tashmë. “Sot kemi një abetare të përbashkët, Shqipëri-Kosovë, po ndërtojmë autostradën e kombit Durrës-Prishtinë, së shpejti do të fillojë edhe autostrada Prishtinë-Shkup. Do harrohen kohët e vjetra. Po punojmë që në këto kodra të hapet tuneli që lidhet me Tetovën e Gostivarit, në mënyrë që të mos ketë kufij mes shqiptarëve, po shohim mundësitë e mëdha të mos ndajmë trevat, të mos ketë kufij”, tha Thaçi. /S.Ll/Start/

                                                                                             2012-06-10 12:49
   

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›