E Shtunë, 31 Tetor 2026

Presidenti uron Forcat e Armatosura për 96-vjetorin

Tiranë- Presidenti i republikës, Bamir Topi ka uruar sot Forcat e Armatosura me rastin e 96-vjetorit të krijimit. Një urim të veçantë ai ua ka rezervuar ushtarakëve që shërbejnë në misionet Paqeruajtëse jashtë vendit si Irak., Afganistan, Çad, Bosnje-Hercegovinë, etj., dhe pjesën tjetër të ushtarakëve që shërbejnë si atashe në shumë shtete të botës.

“Duke sjellë në kujtesë 4 dhjetorin e largët të vitit 1912, kemi lënë mbrapa pothuaj 96 vite histori të shtetit shqiptar dhe të Republikës. Të gjithë së bashku, ndjehemi sa të përulur po aq dhe krenarë për të gjthë ata patriotë shqiptarë, që pavarësisht kufizimeve të kohës, kanë sakrifikuar jetën e tyre duke u bashkuar përpjekjet dhe mirëkuptimin e përbashkët për zhvillimin e vendit dhe Forcave të Armatosura së Republikës, për përmbushjen e misionit të tyre”- tha ai në mesazhin e dërguar.

Ai u është drejtuar me një apel të gjithë të rinjve e të rejave shqiptare që t’i shikojnë Forcat e Armatosura, si një profesion të nderuar për të ardhmen e tyre.

Shqipëria, ka thënë Topi,- është sivjet më e favorshme se kurrë ndonjëherë me rastin e marrjes së ftesës së anëtarësimit në NATO.

“Ajo që na bën të gëzojmë dhe njëkohësisht të reflektojmë, është se aktualisht vendi ynë ndodhet në periudhën më vendimtare të procesit të integrimit në NATO. Megjithë sukseset e arritura dhe pakthyeshme e procesit, faza në të cilën ndodhemi kërkon nga të gjithë përfshirje dhe përgjegjshmëri më të lartë, organizim dhe koordinim më të arrirë, tempe më të shpejta në vazhdimin e reformave që kemi ndërmarrë”- përfundoi ai.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›