E Shtunë, 31 Tetor 2026

Presidenti, vizitë në Çeki

Presidenti Bamir Topi ka nisur dje një vizitë të shkurtër në Republikën e Çekisë me ftesë të homologut të tij, Vaslav Klaus. Nga zyra e shtypit të Presidencës bëhet e ditur se gjatë bisedës mes dy presidentëve është vënë theksi te marrëdhëniet e mira mes dy vendeve, si dhe intensifikimi i tyre. Gjithashtu, zyra e shtypit bën të ditur se Presidenti Topi ka shprehur vlerësimin për mbështetjen dhe angazhimin e Çekisë në procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian dhe në Aleancën e Atlantikut të Veriut, si dhe për gatishmërinë e institucioneve çeke për të ofruar përvojën e tyre në këto drejtime. Të dy Presidentët kanë nënvizuar në takim nivelin shumë të mirë të marrëdhënieve dypalëshe mes Shqipërisë dhe Çekisë dhe shprehën vullnetin për intensifikimin e marrëdhënieve ekonomike, rritjen e investimeve çeke në vendin tonë dhe liberalizimin e regjimit të vizave. Kreu i shtetit ka shprehur interesimin e palës shqiptare për thellimin dhe zgjerimin e bashkëpunimit në fushën e turizmit, energjetikës dhe infrastrukturës dhe nevojën e investimeve çeke në këto fusha.

Ndërsa Presidenti Klaus ka vlerësuar rolin konstruktiv dhe moderues të faktorit shqiptar në rajonin e Ballkanit për paqen, qëndrueshmërinë dhe begatinë e tij afatgjatë. Ai ka siguruar Presidentin Topi se Shqipëria do të gëzojë mbështetjen e plotë të Republikës së Çekisë për anëtarësimin sa më të shpejtë në gjirin e familjes së madhe evropiane, kur ajo të marrë presidencën e radhës së Bashkimit Evropian në janar.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›