Shpallet gjimnazi që njeh "Vlerën e vërtetë të parasë"
Banka e Shqipërisë, në zbatim të programit të edukimit "Banka Qendrore në Jetën e Përditshme", ka zhvilluar në qytetin e Vlorës, konkursin "Vlera e vërtetë e parasë!" me nxënësit e shkollave të mesme. Konkursi synon të krijojë e të zgjerojë njohuritë e nxënësve rreth rolit të Bankës Qendrore në ekonominë e vendit, hartimit e zbatimit të politikës së saj monetare dhe transmetimit të vendimeve të saj në ekonomia. U thirrën të marrin pjesë në këtë konkurs të gjitha shkollat publike dhe jopublike të rrethit të Vlorës. Konkursi u zhvillua në dy faza: eliminatore dhe finale. Në fazën eliminatore morën pjesë 17 shkolla; 9 nga qyteti dhe 8 nga fshatrat e këtij rrethi. Konkursi u ndoq drejtpërdrejt në sallën e teatrit "Petro Marko" të qytetit nga rreth 400 nxënës, mësues, përfaqësues të Drejtorisë Arsimore të rrethit dhe familjarë të pjesëmarrësve në të. Skuadrat që u klasifikuan për në finale ishin ato të shkollave "Ali Demi", "Aulona" dhe "Numër 1", të cilat arritën të grumbullonin më shumë pikë. Skuadra që u shpall fituese e kësaj gare të gjatë ishte ajo e shkollës "Ali Demi".