E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama, Topit: Lironi nga burgu 75-vjeçaren Feride Bako

Kreu i socialistëve, Edi Rama, bëri dje apel për lirimin e të moshuarës Feride Bako, që mbahet në burg për kultivim bimësh narkotike. Pasi ka humbur djalin emigrant, ka humbur të shoqin dhe ka mbetur e vetmja mbështetje për nipërit e saj. Në vlerësimin e liderit të opozitës, Feride Bako, është simboli i një drame shoqërore, ku ajo nuk është i vetmi personazh, sepse të tjera gra, gjyshe apo nëna familjesh që jetojnë nën minimumin jetik, gjenden pas hekurave të burgut për një kundërvajtje ligjore të kryer në humnerën e varfërisë e kulmin një lufte rrëqethëse për mbijetesën e familjes e të fëmijëve të tyre. "Drama e pashoqe e gruas 75-vjeçare dhe e grave që vuajnë burgun për të njëjtën arsye nuk është thjesht drama e saj, apo e një grushti grash fatkeqe, por është drama jonë e përbashkët, në një atdhe ku skamja shtyn në skaje ekstreme të mbijetesës njerëz të thjeshtë, familjarë të dëshpëruar, gjyshe e prindër, që humbasin fuqitë për të kërkuar dritën në tunelin e pafund të varfërisë", theksoi Rama. Sipas tij, nënë Ferideja duhet të kthehet në shtëpi, te fëmijët e djalit të saj të vdekur. "Çdo grua që mbahet në burg, për të njëjtin shkak ndërkohë që me dhjetëra e dhjetëra fëmijë janë rrugëve në mëshirë të fatit, pa gjyshen apo nënën e tyre, duhet të ketë shansin e një trajtimi rast pas rasti të mundësisë së faljes në bazë të një ligji të veçantë", kërkoi Rama. Në këndvështrimin e liderit opozitar shteti, shoqëria, të gjithë ne, duhet t‘i kërkojmë dhe gjejmë gjetkë rrënjët e krimit të kultivimit e trafikimit e kultivimit të bimëve narkotike, aty ku ato janë realisht. "Këto rrënjë ushqehen nga varfëria, zhvillohen në territore ku s‘ka politika sociale e ku s‘ka as kontroll dhe pastaj as barazi para ligjit, dhe ç‘është më e keqja, mbeten të paprera, pikërisht sepse të tjerë janë ata që fitojnë nga kjo tregti, e të tjerë janë ata që kriminalizohen e dënohen deri në absurd, si në rastin e Feride Bakos", u shpreh Rama. Kriminalizimi i një plake 75-vjeçare dhe dënimi i saj e një grushti grash fatkeqe, tha kreu i PS-së, të cilat në bilancet e luftës ndaj trafikut të drogës figurojnë si shifra suksesi, është në fakt një padrejtësi e madhe që vetë shteti dhe shoqëria duhet ta vënë në vend. Rama sqaroi se u ka kërkuar ekspertëve të vënë në dispozicion Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, një propozim konkret për të trajtuar këtë grup fajtorësh pa faj përmes një nisme që duhet t‘i japë secilës prej tyre, një shans për t‘u trajtuar brenda kornizës së një amnistie, sigurisht rast pas rasti. Rama i bëri apel Presidentit të Republikës, që me përgjegjësinë që i jep ligji, të falë 75-vjeçaren Feride Bako dhe t‘i japë mundësinë të përqafojë nipat e saj në vigjilje të Vitit të Ri.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›