Qeveria "kujtohet" për komandot
Në një ceremoni festive, Ministria e Mbrojtjes dhe Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura u kanë uruar mirëseardhjen ushtarëve të misionit paqeruajtës "Liria e Irakut". Ceremonia është zhvilluar dje në sheshin "Skënderbej" në të cilin kanë marrë pjesë Kryeministri Sali Berisha, Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, Ministri i Mbrojtjes, Gazmend Oketa, ambasadori i SHBA-së në Shqipëri, Xhon Uithers, si dhe përfaqësues të tjerë të kabinetit qeveritar. Pas ekzekutimit të Himnit Kombëtar, i pari që u ka uruar ushtarëve të misionit mirëseardhjen dhe i ka falënderuar për misionin e kryer ka qenë shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA, gjeneral brigade, Maksim Malaj. Gjatë fjalës së tij, Malaj ka theksuar se Forcat e Armatosura me profesionalizmin ushtarak që kanë dëshmuar, kanë lartësuar më shumë emrin e Shqipërisë dhe vlerat tona kombëtare, arritje këto që janë një investim madhor në rrugën drejt integrimit të plotë në Aleancën e madhe të NATO-s. Ndërsa Kryeministri Berisha, në fjalën e tij, duke vlerësuar Forcat e Armatosura tha se "ato sot janë më të gatshëm se kurrë, më të aftë, më të vendosur dhe më profesionistë për të kryer çdo mision që do të kërkohet". Kreu i qeverisë u ka shprehur mirënjohjen e tij të gjithë ushtarëve, nënoficerëve dhe oficerëve që mbyllën me dinjitet misionin e tyre 5-vjeçar në Irak. "Misioni juaj ishte një mision i bekuar, të tilla janë të gjitha misionet e paqes, i tillë është misioni që vëllezërit tuaj kryejnë në Afganistan, në Çad e kudo gjetiu", është shprehur Kryeministri Berisha në fjalën e tij duke theksuar se "ky mision kishte një specifikë tjetër të madhe, pasi Forcat tona të Armatosura shërbyen bashkë me trupat e ushtrisë amerikane, të ushtrisë më të shkëlqyer të planetit". Duke vlerësuar shtetin amerikan dhe bashkëpunimin e përsosur me njësitë amerikane, kreu i qeverisë premtoi se ky bashkëpunim do të vijë duke u forcuar edhe në të ardhmen. Gjithashtu, të njëjtat vlerësime ka shprehur edhe ambasadori i SHBA-së në Tiranë, Uithers, i cili ka vlerësuar kontributin e çmuar që paqeruajtësit shqiptarë kanë dhënë në Irak përkrah ushtrisë së SHBA-së dhe vendeve të tjera aleate. "Ju sjell sot falënderimet e qeverisë amerikane për ndihmën e dhënë për vendosjen e paqes dhe lirisë në një tokë të largët. Sot ju përcjell respektin e kombit amerikan për kurajën e treguar dhe për sakrificat që keni bërë duke qëndruar kaq larg familjeve dhe shtëpive tuaja", është shprehur ambasadori Uithers para ushtarakëve shqiptarë. Gjithashtu, ai ka theksuar se "nuk do të jetë e largët dita kur Shqipëria do të qëndrojnë përkrah SHBA-së si anëtarë me të drejta të plota e NATO-s".