Presidenti, zyrtarizohet Nishani, pritet votimi në Parlament
Komisioni i ligjeve miraton raportin për kandidaturën e Nishanit vetëm me votat e mazhorancës.
Mes debateve mes pozitës dhe opozitës, kandidatura e Nishanit ka kaluar me votat e shumicës, por në dallim nga kandidatura e Artan Hoxhës ku opozita nuk votoi, në këtë mbledhje ka dhënë kartonin e saj kundër Bujar Nishanit.
Komisioni i Ligjeve do i`a dorëzojë Kuvendit raportin e miratuar për Bujar Nishanin.
Ndërkaq Bujar Nishani vetëm pak minuta më parë siguroi firmat e 26 deputetëve të PD si dhe në radhët e aleatëve. Ndër deputetët që kanë firmosur janë, Flamur Noka, Arenca Trashani, Sokol Olldashi, Ndriçim Babasi, Selami Xhepa, Ardian Turku.
Lidhur me kandidaturën e Nishanit nuk kanë qëndruar indiferentë as trojka e ambasadorëve të akredituar në Tiranë, ku si Ambasadori i SHBA Arvizu ashtu dhe ai i OSBE-së Wolfarth kanë shprehur konsideratë të lartë ndaj figurës së tij, duke rritur shanset kështu që kandidatura e tij do të merret vërtet në konsideratë.
Seanca plenare pritet të nisë në orën 17:00, ku do të konsumohet edhe raundi i katër për votimin e Presidentit të Republikës.