E Shtunë, 31 Tetor 2026

Presidentit Topi vazhdojnë t’i vijnë mesazhe urimi.

30 korrik 2007

Ban Ki-Mun
Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara

“Jam shumë i lumtur t’ju përcjell përgëzimet e mia për zgjedhjen tuaj si President i Republikës së Shqipërisë. Ju uroj suksese gjatë ushtrimit të përgjegjësive tuaja të rëndësishme!

Angazhimi juaj i shprehur për t’ia përkushtuar presidencën tuaj rritjes së bashkimit kombëtar brenda Shqipërisë na ngroh shumë. Besoj se ju do të vazhdoni të kontribuoni për zhvillimin e bashkëpunimit rajonal dhe do ta udhëhiqni vendin tuaj drejt integrimit të madh europian në të mirë të popullit shqiptar dhe të mbarë rajonit”.

* * *

Hose Manuel Barrozo
Presidenti i Komisionit Evropian

“Ju shpreh urimet e përzemërta për zgjedhjen Tuaj në detyrën e Presidentit të Republikës së Shqipërisë dhe me këtë rast përshëndes zhvillimin e procesit të zgjedhjes së Presidentit në përputhje me Kushtetutën e Shqipërisë.

Si President, Ju do të keni një rol jetësor për ankorimin e institucioneve shtetërore shqiptare në stabilitet dhe për nxitjen e bashkëpunimit mes forcave politike në vend. Une jam i bindur se eksperienca Juaj politike do t’Ju ndihmojë në përmbushjen e këtij roli.

Reformat, që duhet të ndërmarrë Shqipëria për të arritur përparimin drejt BE-së, kërkojnë një punë të pandërprerë, koherente dhe konstruktive nga të gjitha institucionet e saj dhe partitë politike. Për këtë arsye, unë e përshëndes angazhimin që Ju shprehët pas zgjedhjes Suaj si President i Republikës për ta patur prioritet integrimin e vendit tuaj në BE, për të përfaqësuar të gjithë shqiptarët dhe për të ruajtur ekuilibrin mes institucioneve shtetërore shqiptare.

Shqipëria ka treguar qartë vullnetin e saj në nxitjen e bashkëpunimit dhe moderacionit në Ballkanin Perendimor. Roli i vazhdueshëm konstruktiv i vendit Tuaj në lidhje me statusin përfundimtar të Kosovës, mbetet thelbësor për stabilitetin e rajonit.

Shqipëria ka një perspektivë të qartë evropiane. Unë Ju uroj suksese në punën Tuaj për të ndihmuar Shqipërinë në bashkimin e përpjekjeve për të përballuar sfidat që e presin vendin Tuaj në realizimin e së ardhmes të tij evropiane. Komisioni Europian mbetet i angazhuar në mbështetjen e Shqipërisë në rrugën e saj drejt BE-së.” – thuhet në mesazhin e z. Barrozo.

* * *

Terri Dejvis
Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Europës

“I dashur President,
Po ju shkruaj për t’Ju përgëzuar me rastin e zgjedhjes si President i Republikës së Shqipërisë dhe për t’Ju uruar suksese në përmbushjen e detyrave si President i vendit tuaj.

Unë mirëpres vazhdimin e bashkëpunimit të frytshëm mes Shqipërisë dhe Këshillit të Evropës për forcimin e demokracisë dhe të shtetit të së drejtës, si dhe kontributin e vendit tuaj në punën e Organizatës sonë.” – thuhet në mesazhin e z. Dejvis.

* * *

Madhëria e Saj, Mbretëresha Elizabeta II e Mbretërisë së Bashkuar

“Ju përcjell përgëzimet e mia për zgjedhjen Tuaj si President i Republikës së Shqipërisë.
Qeveria ime dhe Unë presim me padurim që të vazhdojmë bashkëpunimin dhe marrëdhëniet e shkëlqyera mes dy vendeve tona.
Ju uroj suksese në punën Tuaj për të ndihmuar Shqipërinë tek sa çon përpara procesin e reformave të rëndësishme.
Ju dërgoj Ju dhe popullit shqiptar urimet e mia më të mira për të ardhmen”.

* * *

Akihito
Perandori i Japonisë

“Me rastin e marrjes nga Shkëlqesisa Juaj të detyrës së lartë të Presidentit të Republikës së Shqipërisë, kam kënaqesinë e madhe t’Ju dërgoj urimet më të përzemërta dhe të sinqerta për suksesin dhe lumturinë e Shkëlqesisë Suaj dhe për mirëqenien e popullit shqiptar”.

* * *

Vladimir Putin
President i Federatës Ruse

“Pranoni urimet më të sinqerta me rastin e zgjedhjes Suaj në postin më të lartë shtetëror të Republikës së Shqipërisë.

Jam i bindur se ruajtja e dinamikës pozitive të bashkëpunimit ruso-shqiptar në të mirën e popujve të vendeve tona u përgjigjet interesave të forcimit të paqes dhe të stabilitetit në Ballkan dhe në përgjithësi në Evropë.

Ju uroj veprimtari frutdhënëse dhe të sukseshme, po ashtu përparim dhe mbarëvajtje gjithë popullit shqiptar. – thuhet në mesazhin e Presidentit Putin.

* * *

Xhorxho Napolitano
Presidenti i Republikës së Italisë

“I dashur President,

Me rastin e zgjedhjes Suaj në detyrën e Presidentit të Republikës së Shqipërisë, dëshiroj t’Ju dërgoj përgëzimet më të sinqerta dhe urimet më të përzemërta për ushtrimin e detyrës Suaj të lartë.

Shpreh dëshirën e fortë që gjatë mandatit Tuaj, Shqipëria të vazhdojë rrugën e konsolidimit të institucioneve demokratike, të afrimit me BE-në dhe NATO-n, plotësimit të reformave ekonomike dhe institucionale, luftën kundër krimit të organizuar dhe bashkëpunimin me vendet fqinje.

Italia, në vazhdën e miqësisë së saj tradicionale me Shqipërinë, nuk do të mungojë të japë kontributin e vet mbështetës përgjatë rrugës së vështirë, me të cilën po përballet vendi juaj, duke patur njëkohësisht besimin se kjo rrugë do t’i çojë popujt tanë drejt një bashkimi në rritje të vlerave dhe fateve”.

* * *

Karolos Papulias
President i Republikës së Greqisë

“Me rastin e zgjedhjes suaj në postin e Presidentit të Republikës së Shqipërisë, do të dëshëroja të shprehja në emër të popullit grek dhe në emrin tim personal, përgëzimet e ngrohta dhe të sinqerta dhe gjithashtu urimet e mira për sukses në misionin tuaj të rëndësishëm.

Do të dëshiroja t’Ju sugjeroja se Greqia do të vazhdojë të punojë për forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve tona dypalëshe dhe për mbështetjen e perspektivës euroatlantike të Shqipërisë. Minoriteti grek në vendin tuaj dhe qytetarët shqiptarë që jetojnë dhe punojnë në Greqi, do të vazhdojnë të përbëjnë urën e fortë të miqësisë dhe të bashkëpunimit midis dy vendeve tona dhe dy popujve tanë.” – thuhet në mesazhin e Presidentit Papulias.

* * *

Tasos Papadopulos
President i Qipros

“Në emër të popullit dhe qeverisë së Qipros, si dhe timin personal, Ju lutem pranoni përgëzimet tona të sinqerta për zgjedhjen tuaj si President i Republikës së Shqipërisë. Shpresoj në zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve të miqësisë dhe bashkëpunimit mes dy vendeve tona në dy vitet e ardhshme”.

* * *

Traian Basesku
President i Rumanisë

Zgjedhja Juaj në postin e Presidentit të Republikës së Shqipërisë më jep rastin e këndshëm t’Ju përcjell urimet më të sinqerta dhe të ngrohta për suksesin Tuaj.

Në të njëjtën kohë dëshiroj t’Ju shpreh edhe urimet e mia për sukses në përmbushjen e misionit të rëndësishëm që Ju është besuar. Jam i bindur se gjatë mandatit Tuaj, Shqipëria do të jetë e suksesshme në zbatimin e reformave demokratike që do të lehtësojnë konsolidimin e marrëdhënies së vendit Tuaj me Bashkim Europian dhe NATO-n.

Dëshiroj t’Ju siguroj se Rumania do të vazhdojë të mbështesë përpjekjet e Shqipërisë për t’u afruar me strukturat euroatlantike. Njëkohësisht dëshiroj të pohoj sërisht gatishmërinë tonë për t’Ju mbështetur në arritjen e këtyre objektivave.

Duke përfituar nga ky rast, dua të shpreh shpresën time se në të ardhmen dialogu dhe bashkëpunimi ynë do të zgjerohet në të mirë të dy vendeve tona. Shpresoj gjithashtu që një takim i ardhshëm i yni do të kontribuojë në fuqizimin e bashkëpunimit mes vendeve tona”.

* * *

Georgi Parvanov
President i Republikës së Bullgarisë

“Ju përshëndes nga zemra për zgjedhjen Tuaj si President i Republikës së Shqipërisë.
Zgjedhja Juaj si President përkon me një etapë jashtëzakonisht të rëndësishme për Shqipërinë, duke pasur prasysh procesin e integrimit të vendit në strukturat evropiane dhe euroatlantike, gjë për të cilën jam i bindur se Ju do të kontribuoni me përpjekjet tuaja. Ju siguroj se në këtë rrugë Ju mund të shpresoni në mbështetjen e pandryshueshme të Bullgarisë.

Do të doja të shprehja bindjen time, se do të punojmë me sukses për zgjerimin dhe thellimin e mëtejshëm të marrëdhënieve tona tradicionalisht të mira, si edhe për afirmimin e bashkëpunimit, paqes dhe stabilitetit në rajon.” – thuhet në mesazhin e Presidentit Parvanov.

* * *

Leh Kazinski
President i Polonisë

“I nderuar Zoti President,

Me rastin e zgjedhjes Suaj në detyrën e Presidentit të Republikës së Shqipërisë dëshiroj t’Ju transmetoj në emër të popullit polak dhe timin personal përgëzimet më të ngrohta dhe urimet për mbarësi dhe suksese në përmbushjen e misionit.

Polonia në mënyrë të vazhdueshme mbështet synimet e Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian dhe marrjes së ftesës për anëtarësi në Aleancën Atlantike. Jam thellësisht i bindur se integrimi evropian nuk mund të realizohet plotësisht pa vendet e Ballkanit Perëndimor.

Do të doja gjithashtu të shprehja bindjen se gjatë mandatit Tuaj si President i Republikës së Shqipërisë do të mundemi të forcojmë marrëdhëniet e mira që ekzistojnë midis dy vendeve tona”.

* * *

Dr. Janes Dërnovçek
President i Sllovenisë

“Me rastin e zgjedhjes suaj si President i Republikës së Shqipërisë, më lejoni t’Ju përgëzoj sinqerisht edhe në emër të Republikës së Sllovenisë. Republika e Sllovenisë dhe Republika e Shqipërisë kanë arritur bashkarisht shumë rezultate të rëndësishme si vende mike dhe kjo është qartësisht një pikënisje shumë e mirë për bashkëpunimin tonë të ardhshëm. Republika e Sllovenisë do të vazhdojë të mbështesë me vendosmëri përpjekjet reformuese të ndërmarra nga Republika e Shqipërisë përgjatë rrugës së saj drejt strukturave euroatlantike”.

* * *

Vladimir Voronin
Presidenti i Moldavisë

“Ju lutem, pranoni përgëzimet e mia të sinqerta me rastin e zgjedhjes suaj si President i Republikës së Shqipërisë.

Dëshiroj të përfitoj nga ky rast për të nënvizuar interesin tonë të vazhdueshëm për të zgjeruar dhe çuar edhe më tej marrëdhëniet tona të miqësisë dhe bashkëpunimit me Shqipërinë në fusha të ndryshme në të mirë të dy vendeve dhe popujve tanë për të ndërtuar një Europë në paqe, të bashkuar dhe të begatë”.

* * *

Stipe Mesiç
President i Republikës së Kroacisë

“I nderuar Zoti President,

Në emër të popullit të Republikës së Kroacisë dhe në emrin tim, më lejoni t'Ju përcjell përgëzimet tona të sinqerta me rastin e zgjedhjes Suaj në detyrën e lartë e me përgjegjësi të Presidentit të Republikës.

Më lejoni që me këtë rast t'Ju shpreh bindjen time se marrëdhëniet miqësore mes Republikës së Kroacisë dhe Republikës së Shqipërisë do të vazhdojnë të zhvillohen e zgjerohen gjatë mandatit Tuaj presidencial në interes e dobi të ndërsjellë të të dy vendeve tona si dhe të paqes e stabilitetit në rajon.” – thuhet në mesazhin e Presidentit Mesiç.

* * *

Zhelko Komshiç
Kryetar i Presidencës së Bosnje-Hercegovinës

“Kam nderin dhe kënaqësinë që me rastin e emërimit Tuaj si President i Republikës së Shqipërisë të Ju dërgoj nderimet e përzemërta.

Më lejoni që edhe me këtë rast të shprehem se, edhe në kohët më të vështira, Bosnja dhe Hercegovina dhe Shqipëria kanë ndërtuar marrëdhënie miqësore mbi bazën e mirëkuptimit reciprok dhe tolerancës.

Kam bindjen se nëpërmjet takimeve tona të ardhshme, të vendosur për standarde demokratike, do të japim kontributin tonë, që në parimet e barazisë dhe të respektit reciprok, të ndërtojmë një rajon të qëndrueshëm i cili në të ardhmen do të jetë pjesë konstruktive e integrimeve euroatlantike".

* * *

Ivan Gasparoviç
President i Republikës së Sllovakisë

“Pranoni Ju lutem urimet e sinqerta me rastin e zgjedhjes Tuaj si President i Republikës së Shqipërisë. Ju uroj fat të mbarë, shëndet të mirë dhe një sërë suksesesh në veprimtaritë
Tuaja në detyrën më të lartë shtetërore.

Shkëlqesia Juaj, Ju po merrni zyrën presidenciale në kohën, kur vendi Juaj po përballet me horizonte të rëndësishme integrimi si anëtarësia në NATO dhe në BE. Këto janë objektiva strategjike të politikës shqiptare dhe mjete për mirëqënien e përgjithshme të të gjithë qytetarëve shqiptarë.” – thuhet në mesazhin e Presidentit Gasparoviç.

* * *

Hajnc Fisher
President i Austrisë

“Me rastin e zgjedhjes suaj si President i Republikës së Shqipërisë, Ju shpreh përgëzimet e mia më të sinqerta. Me këtë rast Ju përcjell edhe urimet e mia më të mira për mirëqënie dhe lumturinë tuaj personale si edhe për sukses në përmbushjen e kësaj detyre të rëndësishme”.

* * *

Lazlo Solyom
President i Hungarisë

“Me rastin e zgjedhjes suaj dhe marrjes së detyrave si President i Republikës së Shqipërisë, shpreh urimet e mia më të mira për Ju dhe për popullin shqiptar.

Uroj që institucionet demokratike të forcohen akoma më tepër në saj të punës suaj në mënyrë që Shqipëria të vazhdojë të luajë një rol stabilizues në rajon”.

* * *

Viktor Jushçenko
President i Ukrainës

“Ju lutem pranoni përgëzimet e sinqerta me rastin e zgjedhjes suaj si President i Republikës së Shqipërisë. Kam kënaqësinë të vë në pah dinamikën pozitive të zhvillimit të dialogut politik mes Ukrainës dhe Shqipërisë si dhe rritjen e dukshme të shkëmbimeve tregtare gjatë viteve të fundit”.

* * *

Valdis Zatlers
President i Republikës së Letonisë

“Dëshiroj t’Ju përcjell përgëzimet e mia më të sinqerta me rastin e zgjedhjes Tuaj si President i Republikës së Shqipërisë. Më lejoni të shpreh urimet e mia për suksese nw të gjitha përpjekjet tuaja tek sa merrni drejtimin e kombit në këtë kohë kaq të rëndësishme .

Duke përfituar nga ky rast, dua të shpreh besimin tim se marrëdhëniet miqësore mes vendeve tona do të vazhdojnë të zgjerohen gjatë viteve tw ardhshme në të mirë të dy popujve tanë. Unë jam gjithashtu i bindur se me zgjedhjen tuaj si President i Republikës së Shqipërisë procesi i suksesshëm reformues do të vazhdojë duke e afruar vendin tuaj më tepër me Bashkimin Evropian dhe NATO-n. Në këtë aspekt më lejoni dhe një herë të ritheksoj mbështetjen e Letonisë për integrimin euroatlantik të vendit tuaj, si dhe gatishmërinë tonë për t’ju dhënë ndihmesë dhe përvojë në fushat e nevojshme".

* * *

Hu Xhintao
President i Republikës Popullore të Kinës

“Me rastin e zgjedhjes së Shkëlqesisë Suaj, President i Republikës së Shqipërisë, në emër të popullit kinez dhe në emrin tim personal, dëshiroj t’Ju shpreh urime të përzemërta.

Midis popullit kinez dhe popullit shqiptar ekziston një miqësi e thellë tradicionale. Gjatë viteve të fundit, marrëdhëniet midis Kinës dhe Shqipërisë po zhvillohen në rrugë të mbarë, dhe janë bërë përparime të dukshme në fusha të ndryshme të bashkëpunimit midis dy vendeve tona. Nxitja e zhvillimit të gjithanshëm dhe të thellë të marrëdhënieve të bashkëpunimit miqësor midis Kinës dhe Shqipërisë përputhen me interesat themelore të të dy vendeve dhe popujve tanë, njëkohësisht është dëshira e përbashkët e të dy palëve. Unë shpreh vullnetin për t’u përpjekur aktivisht së bashku me Shkëlqesinë Tuaj për rritjen e mëtejshme të nivelit të marrëdhënieve midis dy vendeve tona”.

* * *

Ilham Aliev
Presidenti i Azerbaxhanit

“Dëshiroj t’ju përcjell përgëzimet e mia më të sinqerta me rastin e zgjedhjes suaj në detyrën e Presidentit të Republikës së Shqipërisë.

Shpresoj që marrëdhëniet e miqësisë dhe bashkëpunimit mes Azerbaxhanit dhe Shqipërisë do të zhvillohen dhe zgjerohen edhe më tej në interes të popujve tanë.

Dëshiroj t’ju uroj shëndet të mbarë, lumturi dhe suksese në veprimtarinë tuaj të ardhshme për përparimin e popullit mik shqiptar”.

* * *

Anibal Kavako Silva
President i Portugalisë

“Me rastin e zgjedhjes së Shkëlqesisë Suaj në postin e Presidentit të Republikës së Shqipërisë dëshiroj t’Ju shpreh edhe në emër të popullit portugez përgëzimet e sinqerta dhe urimet për sukses në përmbushjen e funksioneve të larta që keni marrë përsipër”.

* * *

Simon Perez
President i Izraelit

“Me rastin e zgjedhjes suaj në postin e lartë të Presidentit të Shqipërisë dëshiroj t’i shpreh Shkëlqesisë Suaj edhe në emër të popullit të Izraelit përgëzimet tona më të mira dhe urimet e përzemërta”.

* * *

Abdelaziz Bouteflika
President i Algjerisë

“Zgjedhja Juaj në Presidencën e Republikës së Shqipërisë më jep rastin e këndshëm t’Ju dërgoj në emër të popullit algjerian, qeverisë së tij dhe në emrin tim personal, përgëzimet e mia më të ngrohta dhe urimet më të sinqerta për sukses në misionin Tuaj te lartë.

Përfitoj nga ky rast t’Ju shpreh gatishmërinë time për të punuar së bashku me Ju në forcimin e lidhjeve tradicionale të miqësisë e bashkëpunimit që ekzistojnë midis dy vendeve tona, në interes të ndërsjellë të dy popujve tanë".

* * *

Presidenti Topi ka marrë mesazhe urimi edhe nga Presidenti i Palestinës, Mahmud Abaz; nga Presidenti i Presidiumit të Asemblesë Supreme Popullore të Republikës Demokratike të Koresë, Kim Jong Nam; nga Presidenti i Indonezisë, Susilo Bambang Judiono; Presidenti i Sirisë, Bashar Al-Asad; Abdullah Ben Abdulaziz Al Saud, Mbret i Mbretërisë së Arabisë Saudite; nga Emiri i Shtetit të Katarit, Hamad Bin-Khalifa Al-Thani; nga Mbreti i Marokut, Madhëria e Tij, Mohamed VI; Mbreti i Bahreinit, Hamad Bin Isa Al-Khalifa; nga Presidenti i Republikës Federale të Nigerisë, Alhaxhi Umaru Musa Jar'Adua; nga Presidenti i Estonisë, Tomas Hendrik Ilves; nga Madhëria e Tij, Albert II, Mbreti i Belgjikës; nga Presidenti i Maltës, Eduard Fenesh-Adami; nga Presidenti i Meksikës, Felipe Kalderon Hinojosa, nga Presidenti i Republikës Islamike të Iranit, Mahmud Ahmadinexhad dhe nga Presidenti i Algjerisë, Abdelaziz Bouteflika.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›