OSSH refuzon ankesat e qytetarëve për vjedhjet nëpërmjet faturave të energjisë
Përveç vjedhjes marramendës që OSSH po kryen çdo muaj duke i rritur çmimin e energjisë para se ai të hynte në fuqi, Zyrat e Ankesave të Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes së energjisë elektrike, refuzojnë në mënyrën më barabartë të pranojnë ankesat e qytetarëve për vlerat e shënuara në faturat e energjisë. Askush nga qytetarët e grabitur nuk ka të
drejtë të ankohet për faturat e fryra, në të cilat janë shtuar me qindra e mijëra kilovat orë që familjet konsumatore as nuk e imagjinonin ti konsumonin ndonjëherë. Një ditë pas reagimit të Ministrisë së Tregtisë dhe Energjetikës, e cila pranoi zyrtarisht abuzimet me fatura dhe premtoi se do të ngrejë një grup pune për të hetuar të gjitha ankesat që janë bërë në adresë të OSSH, me dhjetëra qytetarë janë mbledhur para zyrave të ankesave të OSSH, pranë Ministrisë së Arsimit. Por, fatkeqësisht, asnjë ankesë nuk është pranuar. Refuzimi i ankesave bëhej me argumentin se ishte turp të vihej në lëvizje kompania. Qytetarët të revoltuar u shprehën se e vetmja rrugë për të ndaluar fushatën e grabitjes nga OSSH është protesta duke kërkuar dorëheqjen e Ministrit Prifti. Qytetarja e moshuar, Arjola Hika, e cila ka ardhur me faturat e të bijës në dorë para e mbrapa zyrave të ankesave, shprehet se përveçse është sorollatur dy orë për të gjetur zyrat e ankesave, të cilat janë zhvendosur qëllimisht, punonjësit refuzojnë të pranojnë kërkesën për rishikimin e faturës. Kam ardhur këtu për tu ankuar për faturën që i kanë sjellë bijës sime pasi ajo është në punë. Së pari muajin dhjetorë e kanë llogaritur me çmimin e janarit dhe për këtë kërkoj të më kthehen parat që OSSH mi ka marrë në mënyrë të paligjshme. Ajo është detyruar ti paguajë, pasi në të kundërt ia ndërprisnin dritat. Së dyti në faturën e muajt të fundit kanë shënuar një shumë marramendës. Kanë shënuar 140 mijë lekë të vjetra, në kushtet kur bija ime përdor vetëm llambat dhe lavatriçen. Duket qartë se shuma është vënë kuturu pasi ajo dy javë nuk ka qenë në shtëpi. Gjithashtu në muajin paraardhës ka harxhuar rreth 84 mijë lekë të vjetra, ndërsa tani dyfishin, shpreh zonja Hika. Gjithashtu, shumë qytetarë të tjerë, përveç ankesave të mësipërme në lidhe me fryrjen e faturave, denonconin edhe OSSH që matësit ishin të kurdisur që të punonin me shpejtësi. Matësit e energjisë punojnë me shpejtësi, pavarësisht energjisë që konsumojmë. Ne nuk marrim vesh nga ato punë dhe as që na kanë lejuar ndonjëherë ta shikojmë sahatin, por mua më ka thënë një i afërt i imi që është inxhinier, theksoi një i moshuar tjetër, i cili gjithashtu priste që të dorëzonte një kërkesë-ankesë.
Abuzimi me anë të matësve
Sipas qytetarëve, thembra e Akilit i tërë grabitjes që po kryen OSSH, janë matësit e energjisë elektrike. Matësi ruhen me rreptësi dhe edhe nëse ndonjë qytetarë dëshiron ta shikojë atë, kjo është e ndaluar. Matësi i energjisë shihet vetëm nga faturuesi, i cili sipas qytetarëve ai është i pari që është përfshirë në këtë aferë. Pra, qytetarët nuk kanë të drejtë të shikojnë sahatin e tyre dhe kur faturisti është prezent. Por kjo ndodh në rrallë raste, pasi faturistët shikojnë sahatet në kohën kur asnjë nga abonentët nuk është i pranishëm dhe në këtë formë ata mund të kryejnë abuzimet e tyre duke shtuar kilovat orë, apo edhe mund të çmontojnë sahatin për ta rregulluar në laborator kur abuzimi ka kaluar limitet. Sipas faturistëve, të gjitha pasqyrave mujore u është hequr vizë dhe në vend të tyre janë shtuar sasitë e kërkuara nga OSSH, për të plotësuar shumën e kërkuar të parave që duhet të paguajnë familjet shqiptare. Për shkak të kësaj ndërhyrjeje në shifrat reale të konsumit të energjisë, faturat e muajit janë shpërndarë gazti 10 ditë më vonë, në datë 5 shkurt, nga data 25 janar që duhet të kishin shkuar te konsumatorët. Për shkak të kësaj manovre, shqiptarët duhet të paguajnë përveç çmimit të rritur të energjisë edhe humbjet e OSSH, të shtuara në faturën e muajit janar. Rritja e çmimit të energjisë elektrike, edhe pse u duk se u amortizua te Enti Rregullator i Energjisë, në të vërtetë është më e madhe se sa ajo që u deklarua zyrtarisht.
Prifti: Të ngrihet grup hetimi
Gazeta SOT e ka denoncuar në vijimësi shqetësimin e qytetarëve se OSSH po i vjedh pa mesapë me anë të faturave të energjisë elektrike. Si rrjedhojë, dy ditë më parë ka ardhur edhe reagimi zyrtar i Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës e cila ka premtuar se do të ngrejë një grup pune për të hetuar të gjitha ankesat që janë bërë në adresë të OSSH nga qytetarët. Në deklaratën për shtyp të Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës thuhet se kjo ministri ka ndjekur me shqetësim ankesat publike të disa konsumatorëve të energjisë elektrike për mbifaturim në faturat e muajit Dhjetor 2009 dhe ka vendosur të ngrejë një grup inspektimi për të verifikuar këto ankesa. Në të njëjtën kohë, Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Dritan Prifti i ka dërguar një letër OSSH-së për të kërkuar mbledhjen urgjente të Bordit Drejtues të OSSH-së për të diskutuar në cilësinë e aksionerit të pakicës situatën e krijuar pas këtyre akuzave, thuhet në deklaratën e Ministrisë së Ekonomisë.
Adriatik Doçi