Roberto Olla: Ta nxjerrim nga izolimi kinemanë shqiptare
Prania më 3 dhe 4 mars e drejtorit të përgjithshëm të “Eurimages” në Tiranë, Roberto Olla, dhe takimi i tij me kineastët shqiptarë është përpjekja e parë që këta të fundit të kuptojnë realisht se çfarë përfitojnë nga anëtarësimi i Shqipërisë në këtë fondacion pranë Këshillit të Europës. Shqipëria, në qershor të vitit të shkuar u rreshtua si vendi i 34-t i anëtarësuar. Gjatë një seminari sqarues të ditës së djeshme, Olla i mëshoi më shumë lehtësisë së shpërndarjes (distribucionit) dhe pjesëmarrjes së filmave shqiptarë në festivale të rëndësishme në të ardhmen. Kjo mund të ndodhë atëherë, kur “Eurimages” vendos të financojë një projekt apo një bashkëprodhim për një film që konkurron në këtë fondacion. Anëtarësimi në Euroimages i kushton Shqipërisë çdo vit 105 mijë euro kontribut, ndërsa maksimumi i përfitimit nga fondi për një projekt është 700 mijë euro. Sa mundësi kanë projektet shqiptare? Në këtë mes Qendra Kombëtare Kinematografike merr një rol shumë të rëndësishëm. Për aq kohë sa një nga kriteret kryesore të një projektit për të konkurruar në “Eurimages”, është sigurimi i një përqindjeje financimi nga vendi amë, dhe kur në Shqipëri burimi kryesor është QKK-ja(financimet private thuajse mungojnë), kineastët tanë janë sërish të limituar në mundësitë e tyre. Shansin më të madh për të konkurruar në “Eurimages” e kanë ato projekte që marrin më parë miratimin nga bordi i Qendrës Kombëtare Kinematografike. Në një farë mënyre, projektet që do t’u paraqiten specialistëve të “Eurimages”, do të jenë të përzgjedhurit sipas “shijeve” të bordit shqiptar. Drejtori aktual i QKK-së pranon se kjo është një mundësi e limituar, por sipas tij, promovimi i një prodhimi apo bashkëprodhimi nën firmën e “Eurimages” do të hapte dyert e shumë festivaleve të rëndësishme.
Zoti Olla, çfarë do të ndryshojë për kinematografinë shqiptare nga anëtarësimi në “Eurimages”?
Për shumë vjet Shqipëria ka qenë e izoluar dhe kjo është reflektuar rrjedhimisht edhe në prodhimin kinematografik. Në të njëjtën situatë kanë qenë edhe vendet e ish-Jugosllavisë si Bosnja, Serbia, Maqedonia, por pas anëtarësimit në “Eurimages”, filmat e tyre kanë mundur të konkurrojnë në festivalet kryesore si Kanë, Berlin e madje kanë mundur të fitojnë edhe çmime. Mendojmë dhe shpresojmë që e njëjta gjë të ndodhë edhe me prodhimet kinematografike shqiptare. E rëndësishme është që dyert janë hapur dhe regjisorët apo producentët do të kenë mundësi që në bashkëpunim me Qendrën Kombëtare Kinematografike, si një hallkë shumë e rëndësishme, të aplikojnë për të marrë mbështetje financiare e për të realizuar një film ashtu siç e mendojnë. Për të thënë të vërtetën nuk e njoh shumë kinematografinë shqiptare dhe qëllimi i vizitës time në Tiranë është të hyj në kontakt me producentët apo me regjisorët që të kuptoj pak më mirë se si funksionon këtu kinemaja. Mbi të gjitha, pjesëmarrja e Shqipërisë në “Eurimages” do t’u lejojë filmave shqiptarë të shihen edhe në vende të tjera, sepse në momentin që producentët investojnë në një film shqiptar, kanë interes ta shesin dhe qarkullojnë atë. Kjo do t’i ndihmojnë filmat tuaj të shkojnë përtej territorit shqiptar.
Si funksionon “Eurimages”?
“Eurimages” është një fondacion i themeluar që më 1989 i përbërë nga 34 vende ku Shqipëria është vendi i fundit i anëtarësuar.
Jemi një lloj minibanke që vëmë në dispozicion fonde për prodhime apo bashkëprodhime të vendeve që vendosin të realizojnë një film së bashku. çdo vit në sitin online shpallen katër konkurse së bashku me limitet kohore dhe kriteret në bazë të të cilave producentët apo regjisorët duhet të konkurrojnë. Projekti vlerësohet duke nisur nga cilësia e skenarit, nga cilësia e historisë që trajtohet dhe nga aftësia e saj për të shkuar përtej territoreve nacionale. Pra nuk është e rëndësishme që tema e trajtuar të jetë me patjetër ndërkombëtare, por të jetë një film që të ketë aftësinë të qarkullojë, të ketë një mesazh për një publik të gjerë.
Që nga koha e anëtarësimit të Shqipërisë vitin e shkuar, ka ndonjë projekt shqiptar që ka konkurruar?
Ka një projekt shqiptar, një bashkëprodhim që ka aplikuar e po studiohet, por të cilin momentalisht nuk mund ta bëj të ditur. Vendimi nëse ky film do të mbështetet financiarisht do të bëhet i ditur nga mesi i muajit. Ekspertët, pjesë e stafit të “Eurimages” mblidhen dhe përzgjedhin projektet më të mira duke u nisur nga cilësia dhe asnjëherë nga kombësia e konkurruesve.
Nisur nga eksperienca e këtyre viteve, a ka tema që kanë prioritete?
“Eurimages” nuk ka linja editoriale. Ajo që kërkojmë është cilësia e veprës. Pastaj, nëse është dramë, komedi, film thriller apo policesk, kjo nuk ka rëndësi. Gjithsesi, në politikat e veta “Eurimages” nuk mbështet filmat komercialë, sepse ata lehtësisht mund të gjejnë financime në treg, qofshin këto televizione, distributorë të ndryshëm apo nga bankat. Ne përpiqemi të financojmë ato projekte që janë cilësore e që nuk gjejnë terren në tregun kinematografik, pasi vetë publiku është i ngurtë në pranimin e tyre. Ne synojmë të mbështesim filma autorë.
Distribucioni është një nga problemet që e “kërcënon” vazhdimisht kinemanë europiane. Si funksionojnë politikat tuaja në këtë drejtim?
“Eurimages”, përveçse financon bashkëprodhime filmike që konkurrojnë, një pjesë të fondit e përdor për shpërndarjen e filmave europianë, por jo nacional. Kjo do të thotë se filmat shqiptarë mund të funksionojnë mirë brenda territorit tuaj, por jo jashtë. Ne ndihmojnë producentët të shpërndajnë filmat shqiptarë në tregun e huaj. Ideja është të qarkullojmë filma europianë përtej territoreve të tyre kombëtare dhe të ndihmojmë publikun të shohë filma që në të kundërt nuk do të kishte mundësi t’i shihte.