E Shtunë, 31 Tetor 2026

Presidentja Jahjaga ngushëllon Barack Obamën

Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga i dërgoi telegram ngushëllimi Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barack Obama, me rastin e vrasjes makabre të të rinjve amerikanë në sallën e kinemasë në qytetin Denver të SHBA-së.

“Jemi thellësisht të trishtuar nga ngjarja e rëndë që tronditi Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku si pasojë e një akti të rëndë kriminal, në një kinema në Denver, mbetën të vrarë dhe të plagosur dhjetëra qytetarë”, thuhet në telegramin e Presidentes.

“Në emrin tim, në emër të institucioneve dhe qytetarëve të Republikës së Kosovës, ju përcjell ngushëllimet më të sinqerta për jetët e humbura të qytetarëve të pafajshëm. Bashkëndjejmë dhimbjen me Ju, me qytetarët amerikanë dhe familjet e të vdekurve. Ju lutem që familjeve t’ua përcillni ngushëllimet e thella të mia dhe të popullit tim për këtë dhimbje të madhe”, thuhet pos tjerash në telegramin e presidentes Jahjaga drejtuar presidentit të SHBA-ve, Barack Obama.

Presidentja Jahjaga uron që të plagosurit të shërohen sa më shpejt dhe t’u kthehen familjeve të tyre.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›