Presidentja në Amerikë për mesha e restorante

Një fotografi kurtuazie prezanton Stefan Kochin, konsull i nderit i Shqipërisë në Massachusetts, Atifete Jahjagën, presidente e Republikës së Kosovës, si dhe Leo Kekën, pronar i restorantit “Alba”, shkruan Koha Ditore.
Patriotledger.com raporton këtë vizitë. Citon Afrim Hoxhën, të cilin e prezanton si një prej zëdhënësve të presidentes, të ketë thënë se ky është një vend ku njerëzit ndihen sikur në shtëpinë e tyre. Po kështu edhe presidenten Jahjaga, që ka shprehur kënaqësinë dhe mirënjohjen që shqiptarët janë amerikanë të mirë. Ajo ka vizituar restorante e katedrale, si dhe ka vënë kurora lulesh te varri i Nolit dhe aty ku dikur prehej Konica.
Përpos rrugës dhe akomodimit që ngarkon buxhetin e shtetit për anëtarët e kabinetit të presidentes, nga kuleta e shtetit dalin edhe nga 275 euro si mëditje, për secilën ditë të qëndrimit.
Deri tash nuk është raportuar për ndonjë takim me ndonjë prej zyrtarëve të lartë shtetëror amerikanë, apo për planifikim të ndonjë takimi.