Vetëm homazhe

Kryeministri Hashim Thaçi sërish nuk ka hyrë në shtëpinë e Jasharajve të martën teksa ka bërë homazhe në Kompleksin Memorial në Prekaz.
Ai nuk ka dashur të komentojë rreth kësaj çështjeje kur është pyetur nga gazetarët.
“Këto ditë ne po shënojmë ditët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, sakrificën sublime të Familjes Jashari, nderojmë dhe respektojmë veprën e kryeheroit, Komandantit Legjendar Adem Jashari. Çdoherë që ne nderojmë të kaluarën, luftën e UÇK’së, rezistencën e gjithë qytetarëve të Kosovës, ne nderojmë të sotmen, marrim energji për të ardhmen, për të konsoliduar dhe forcuar shtetin tonë për të integruar në NATO dhe Bashkim Europian”, ka theksuar Thaçi.
Kjo nuk është hera e parë që Thaçi nuk ka shkuar te Jasharajt, së fundi një gjë e tillë ka ndodhur në katërvjetorin e Pavarësisë së Kosovës, disa javë më parë.
Të njëjtën ditë, Murat Jashari ka adresuar kritika në adresë të institucioneve të Kosovës. Ai madje kishte krahasuar situatën aktuale në Kosovë me atë të viteve ‘90.
Për mosshkuarjen e Thaçit, nuk ka pranuar të komentojë Murat Jashari.
“Sot nuk mund t’ju jap përgjigje... Jo, ju mund të ma bëni pyetjen, por nuk do të jap përgjigje”, ka thënë Jashari.
Në këtë mënyrë ai nuk ka pranuar të flasë as rreth marrëdhënieve aktuale të familjes së tij me Thaçin.
Kreu i Qeverisë në ditën e dytë të Epopesë së UÇK’së me tërë kabinetin e tij ka bërë homazhe në varrezat e dëshmorëve në Prekaz, duke thënë se vlerëson lart sakrificën e Familjes Jashari.
Ai ka shtuar se vepra e Komandantit Adem Jashari bëri që të bashkoheshin të gjithë shqiptarët në luftë për liri. Nderimet e tij, në Prekaz, ndërkaq përfunduan aty ku nisën, te varrezat.
Ndryshe nga ai, Familjen e Jasharajve, e ka vizituar lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti.
Kurti ka thënë se Familja Jashari është ajo e cila u ka mundësuar shqiptarëve të kenë sot identitet.
“Nëse dashuria për atdheun, lirinë dhe kombin matet me sakrificën për këto, atëherë atdheu, liria dhe kombi nuk mund t’i duash më shumë se kaq. 58 veta nuk e dhanë jetën thjesht vetëm për liri, por edhe për luftën çlirimtare, për shkak se, pikërisht në këtë vend, pikërisht para 14 vjetëve mori një hov të madhërishëm Ushtria Çlirimtare e Kosovës”, ka thënë Kurti.
E, përveç tij, nderime Familjes Jashari ndër të tjera i ka dhënë edhe Komandanti i Forcës së Sigurisë të Kosovës, Kadri Kastrati.
“Ne kemi njerëz, djem dhe vajza, burra dhe gra që kanë marrë pjesë edhe në luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kanë dhënë gjakun dhe djersën e tyre për lirinë dhe pavarësinë që sot e kemi. Forca e Sigurisë e Kosovës edhe më tutje do të punojë ngushtë me miqtë tanë ndërkombëtarë, në radhë të parë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, mbështetjen e NATO’s për të bërë një forcë, me të cilën do të krenohet populli i Kosovës dhe një forcë e cila iu përgjigjet të gjitha nevojave të Republikës së Kosovës”, ka thënë Kastrati.
Ndryshe, Kryeministri Thaçi nga Prekazi ka vazhduar rrugën për Gllogjan, pas një kohe të gjatë. Ndërsa me kurora lulesh ka nderuar shtatoret e heronjve si Luan e Shkëlzen Haradinaj, si dhe atë të Sali Çekajt në Deçan e Mujë Krasniqit në Klinë. Krejt në fillim të rrugëtimit të tij të djeshëm, Thaçi është ndalur në Prishtinë, para shtatores së Komandantit Zahir Pajaziti.