Presidentja uron Pashkët
Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga ka uruar të gjithë besimtarët e krishterë dhe qytetarët e Kosovës me rastin e Festës së Pashkëve.
Me rastin e Festës së Pashkëve, presidentja e Republikës së Kosovës ka uruar edhe Ipeshkvin e Ipeshkvisë së Kosovës, Imzot Dorë Gjergjin dhe i ka dërguar telegram urimi Shenjtërisë së Tij, Papa Benedikti XVI.
“Besimtarëve të krishterë dhe të gjithë qytetarëve të Kosovës Ju uroj Festën e Pashkëve.
Le të shërbejë kjo festë e Ringjalljes si dëshmi e përjetësisë, si dëshmi se veprat e mira shpërblehen te Zoti, se sakrifica për të mirën shpaguhet, se jeta është e amshueshme dhe se misioni i njeriut është të jetojë në harmoni dhe në paqe dhe ta duan e ta ndihmojnë njëri-tjetrin”.
“Të gjithë qytetarët e Kosovës i uroj që në simbolin e Pashkëve të shohin drejt ardhmërisë më të lumtur e më të begatshme që të gjithë njerëzit janë vëllezër e motra ndërmjet veti pa dallim të përkatësisë fetare, kombëtare, racore, gjinore dhe dallimi tjetër, sepse të gjithë jemi një te Perëndia dhe te besimi në njeriun dhe në vlerat njerëzore”.