E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kundër vizitës së Lavrovit

Nga Express më 22 prill 2011 në ora 15:28

Shoqata Shqiptaro-Amerikane ka reaguar ndaj vizitës së ministrit të jashtëm rus, Sergey Lavrov, në Maqedoni, duke e quajtur atë një plan strategjik për riaktivizimin e pansllavizmit në Ballkan.

“Vizita e kryediplomatit rus, Sergey Lavrov, në disa shtete të Ballkanit dhe në Maqedoni, tregon qartë se tashmë janë riaktivizuar vijat diplomatike pansllaviste për të përthekuar e vënë në ngërç çështjen e popullit shqiptar”, thuhet mes tjerash në reagim.

Me këtë rast theksohet se Lavrov me vete ka marrë udhërrëfyesin, Memorandumin e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Serbisë(1985) dhe procesverbalet vrastare të viteve 1878-1913, ku Rusia me dorë të vetë copëtoi dhe ua dha bakshish tokën e Shqipërisë fqinjëve grabitqarë Serbisë, Malit të Zi dhe Greqisë.

“Nuk është rastësi që Sergey Lavrov nga Kisha Ortodokse në Ohër i referohej tokës dhe popullit shqiptar si ‘Jerusalemi i Ballkanit’. Për të qenë paradoksi edhe më i madh, në takimet me diplomatin rus nuk ishte prezent asnjë prej përfaqësuesve politikë shqiptarë nga mekanizmat relevantë shtetërorë në Maqedoni. Kështu, Nikola Gruevski, po e luan lojën e strucit, për të treguar se paska miq të fortë në kohë të vështira”, theksohet në komunikatën e Shoqatës Shqiptaro-Amerikane.

Kjo shoqatë apelon shmangien e skenarëve dhe planeve serbe dhe strategjitë e dëmshme për Ballkanin, dhe kundër shqiptarëve.

“Po i rikujtojmë diplomatit rus se pikërisht Shkup është Dardania Antike, e jo Jerusalemi i Ballkanit. Shteti maqedonas nuk mund të zhvillojë politikën e jashtme pa pjesëmarrjen e shumicës shqiptare. Diplomati rus, Lavrov, ka harruar se në Ohër dhe nga Kisha Ortodokse fliste në tokën shqiptare. Ai duhet të dijë se në Maqedoni jetojnë më se 800,000 shqiptarë, të besimit fetarë islam, ortodoks dhe katolikë. Në Shkup u lind edhe Nëna e madhe shqiptare - Nëna Terezë, e cila u bë emblemë humane dhe gjithënjerëzore për botën dhe civilizimet, duke marrë edhe Çmimin Nobel”, vazhdon reagimi.

Sipas shoqatës, për të marrë udhë kah Ballkani, diplomacia ruse dhe vetë Sergey Lavrov duhet të marrë me vete platformën e paqes, të lirive e të drejtave njerëzore që ndër shekuj dhe pa të drejtë kombi shqiptar i ka pësuar më së keqi.

Shoqata vlerëson se ka ardhur koha që subjekti politik shqiptar të ketë një qëndrim unik dhe të vazhdueshëm për situatat e krijuara.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›