“Presim çdo propozim të opozitës për reformën zgjedhore”

Deputeti i PD-së, Aldo Bumçi
Partia Demokratike shprehet e gatshme të negociojë me opozitën hartimin e reformës së re zgjedhore. Pas zërave të fundit të partive të vogla të mazhorancës dhe opozitës, PD deklaron se mirëpret angazhimin korrekt për ngritjen e tryezës së reformës së re elektorale dhe njëherazi do të vlerësojë çdo propozim që do vijë nga Partia Socialiste. Pavarësisht se kjo e fundit s’ka dhënë asnjë përgjigje për të filluar përgatitjet për zgjedhjet e ardhshme, aleatët e saj e kanë bërë një gjë të tillë, duke deklaruar se s’kanë më se çfarë të presin.
Deputeti dhe kreu i PD-së për Tiranën, Aldo Bumçi theksoi dje se opozita shqiptare dhe Partia Socialiste duhet të mendojnë t’i kthehen punës për hartimin e Kodit të ri Zgjedhor. Sipas deputetit Bumçi, mazhoranca do të mirëpresë çdo propozim të përfaqësuesve të opozitës lidhur me ndryshimet në Kodin Elektoral dhe sistemin zgjedhor.
“Ne jemi dakord të marrim në shqyrtim çdo lloj propozimi për reformën zgjedhore. I kemi lënë të drejtën opozitës për sugjerimet e saj”- tha Bumçi.
Reforma e re zgjedhore do fokusohet kryesisht në rekomandimet e OSBE/ODIHR-it.
Duke qenë se gjithçka ka ngecur në nivel deklaratash, duke ditur se opozita shqiptare vazhdon të kontestojë zgjedhjet e fundit parlamentare, ende nuk ka një shenjë të qartë që PS të tregojë gatishmëri për nisjen nga puna të hartimit të Kodit të ri Zgjedhor.