“Shkelje të rënda ligjore, bashkia refuzon auditin”

Prefekti i Tiranës, Keltis Kruja kërkon nga Ministria e Financave ngrirjen e fondeve për bashkinë e Tiranës
Prefekti i Qarkut Tiranë, Keltis Kruja, ka deklaruar se organi i Prefekturës do nisë një aksion auditimi në një serë njësish vendore, ku ndër to është edhe Bashkia e Tiranës.
Në bazë të urdhrit nr. 41 dt. 03. 05. 2010 të ministrit të Financave për auditimin dhe përdorimin e fondit të veçantë për vitin 2009-ë, sektori i auditit të brendshëm pranë Prefektit të Qarkut Tiranë, ka planifikuar dhe depozituar një program auditimi për disa njësi vendore. Prefekti Kruja thekson se pavarësisht refuzimit të auditit nga bashkia e Tiranës, ligji ia imponon njësisë vendore të lejojë ushtrimin e kontrollit financiar.
“Kontrolli nga Prefektura do të ushtrohet, vetëm për anën financiare pa përfshirë anë të tjera të veprimtarisë së subjektit vendor dhe vetëm për fondet e transferuara nga buxheti qendror në pushtetin lokal. Theksoj, se auditi që ushtrohet nga institucioni i Prefektit të Qarkut është vetëm për fondet e transferuara nga pushteti qendror në atë vendor”- u shpreh Prefekti Kruja.
Ai vuri në dukje se kryetari i bashkisë Rama shprehet në një shkresë të tijën, se nuk pranon të auditohet nga asnjë grup pune i ngritur posaçërisht për këtë qëllim, duke shkelur kështu ligjet dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese.
“Më lejoni gjithashtu, të sjell në vëmendjen tuaj, që bashkia Tiranë dhe kryetari i saj, gëzojnë të njëjtin status ligjor si çdo organ tjetër i qeverisjes vendore dhe kryetarët e tyre në Republikën e Shqipërisë”.
Por, në përgjigjen e kthyer me shkresën nr. 3826/1 dt. 11.05.2010 Kryetari Bashkisë Tiranë shprehet se, “refuzon të auditohet nga ana Prefektit Qarkut Tiranë dhe nuk njeh asnjë grup pune te ngritur për këtë qëllim. Pra zyrtarisht, Kryetari Bashkisë Tiranë deklaron se nuk njeh dhe refuzon të zbatojë ligjet dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese te Republikës së Shqipërisë. I bëj thirrje kryetarit të Bashkisë të ndahet nga praktikat private me të cilat administron Bashkinë e Tiranës dhe ta drejtojë këtë Bashki në respekt dhe përputhje te plotë me ligjin. Jam i detyruar t’i kërkoj Qeverisë dhe Ministrit të Financave të ngrijë veprimet në thesarin e shtetit dhe të bllokojë fondet e buxhetit të shtetit për Bashkinë e Tiranës duke qenë se kjo Bashki dhe kryetari i saj refuzojnë kontrollin dhe transparencën ndaj këtyre fondeve”, tha Kruja.
Më tej, Prefekti i Qarkut, garanton të gjithë qytetarët e Tiranës, se do të vazhdojë të kërkojë respektimin dhe zbatimin e plotë të ligjit në Qarkun e Tiranës nga cilido, qoftë ky dhe Kryetari Bashkisë Tiranës.