Presionet, jep dorëheqjen Kreshnik Spahiu. Alibeaj: Kallzim penal, sna dha dokumentet
Nënkryetari i KLD-së, Kreshnik Spahiu, ka dhënë sot dorëheqjen. Spahiu njoftoi për vendimin e largimit nga posti sot rreth orës 09:30 në një dalje para mediave.
Në deklaratën e tij, Spahiu u shpreh se shkak për dorëheqjen janë bërë presionet e vazhdueshme të pushtetit, nën të cilat ai ndodhet që nga viti 2008.
Që korrik 2008 nisi udhën një konflikt pushtetesh, kur ish-ministri i Drejtësisë kërkoi mandatin tim. Do të kalonin 3.5 vite përpjekje, debate për të zgjidhur konfliktin e mosndërhyrjeve të pushtetit ekzekutiv me gjyqësorin. Për tre vite kishim një Kuvend që paralizoi reformën në drejtësi.
Reforma u paralizua për shkak të krizës politike në Kuvend. Sikur të mos mjaftonte kjo që mbajti peng gjithë shtetin dhe refuzimin e statusit, Kuvendi do të miratonte një sërë aktesh që cenonin integritetin territorial dhe identitetin tonë kombëtar. Marr vendimin të largohem nga detyra se kjo nuk është një luftë personale. Karriget ashtu si dhe jeta janë të përkohshme, kauzat janë të përjetshme, tha Spahiu, duke theksuar se do t`i drejtohet Gjykatës Kushtetuese në lidhje me antikushtetueshmërinë e ngritjes së komisionit parlametar, i cili prej dy javësh po heton veprimtarinë e tij si nënkryetar i KLD-së.
Do t`i drejtohem Gjykatës Kushtetuese si i vetmi arbitër që të zgjidhë konfliktin mes dy pushteteve dhe për t`i thënë stop veprimtarive antikushtetuese dhe nëse Gjykata Kushtetuese do të vendosë në favorin tim, unë nuk do të kthehem më në këtë post, tha Spahiu.
U them punë të mbarë atyre që më mbështetën përballë një presioni agresiv për 4 vite të këtij pushteti, ndërsa atyre që më presin jashtë i them udhë të mbarë në këtë rrugë të gjatë që kemi nisur, përfundoi ai duke lënë ambientet e KLD-së, për tu bashkuar me aktivistët e Aleancës Kuqezi.
******
Pak pasi Kreshnik Spahiu kishte dhënë dorëheqjen si nënkryetar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, ka nisur punën Komisioni Hetimor i ngritur nga Kuvendi për shkarkimin e tij. Sot ishte në plan që të dëgjohej dëshmia e Spahiut. Kryetari i këtij komisioni, Enkelejd Alibeaj bëri një koment të shkurtër për dorëheqjen e Spahiut duke thënë se ajo nuk ndikon punën e komisionit. Nuk kam asnjë koment në aspektin juridik. Dorëheqja e tij nuk ka asnjë efekt në punën e komisionit hetimor, tha Alibeaj.
Por siç kishte kërcënuar dy ditë më parë, Alibeaj tha se ata do depozitojnë një kallëzim penal për Kreshnik Spahiun me argumentin se ka penguar punën e komisionit. Alibeaj tha se Spahiu ka shkelur nenin 17 të komisionit duke mos dorëzuar dokumentacionin e provat e nevojshme. Komisioni pati kërkuar të inspektojë dokumentet financiare të KLD-së, por Spahiu tha se Kuvendi nuk e ka këtë kompetencë. Ai shtoi se kjo është një kompetencë e Kontrollit të Lartë të Shtetit.
