Presioni Zbogar
Përfaqësuesi i Bashkimit Europian në Kosovë, Samuel Zbogar nuk po ndalet së kërkuari një plan për Veriun nga Qeveria e Kosovës. Disa ditë më parë, këtë kërkesë ish-Ministri i Jashtëm i Sllovenisë ua kishte drejtuar autoriteteve edhe përmes një interviste në gazetën Express.
Por ai nuk ka hezituar që një gjë të tillë ta përmendë edhe në një prononcim për media, të hënën. Zbogar ka thënë se Qeveria duhet të dalë me një plan dhe agjendë për Veriun e Kosovës, në mënyrë që serbët në atë pjesë të ndihen më mirë dhe të pranojnë realitetin e ri në Kosovë. Samuel Zbogar ka vizituar një shkollë në kryeqytet, në kuadër të javës së BE’së, ku ka bërë prezantimin “Të shkojmë në Europë”, para nxënësve.
Dhe pikërisht aty ka përsëritur kërkesën që Prishtina të bëjë një plan për Veriun.
“Që nga tetori, kur është lëshuar Raporti i Progresit, ne jemi duke i bërë thirrje Qeverisë së Kosovës për të përgatitur një plan dhe agjendë për pjesën veriore. Mendoj se pasi të ulet tensioni lidhur me këto zgjedhje, ne mund të përqendrohemi në atë se si të merremi me pjesën veriore, kryesisht Qeveria e Kosovës për të arritur një ide që njerëzit të cilët jetojnë atje të ndihen mirë” , ka thënë ai.
Diplomati slloven ka thënë se së bashku me Qeverinë e Kosovës, në të ardhmen do të koncentrohen që t’u ofrohet serbëve në Veri një jetë më e mirë, në mënyrë që ata të pranojnë realitetin në Kosovë. Ai me këtë rast edhe ka lavdëruar OSBE’në për lehtësimin e zgjedhjeve serbe, duke mos kursyer falënderimet as për Qeverinë dhe Policinë e Kosovës, por edhe qytetaret që kanë shfaqur përmbajtje dhe qetësi ndaj lehtësimit te këtyre zgjedhjeve.
“Tani vazhdojmë përpara, këto janë zgjedhje serbe dhe rezultatet e tyre do të ndikojnë në Qeverinë dhe Presidentin e ri në Serbi, por Kosova ka çështje dhe gjëra të tjera për të menduar, të cilat kanë prioritet për momentin”, ka thënë Zbogar.
Por autoritetet e Kosovës deri më tani nuk e kanë trajtuar me shumë prioritetet kërkesën e Brukselit. Kryeministri Thaçi ka deklaruar se tashmë ka ardhur koha që për Veriun të gjendet një zgjidhje, por nuk ka përmendur asgjë konkrete. Ai ka thënë se kjo çështje do të zgjidhet përmes bisedimeve me serbët e Veriut dhe me lehtësimin e Brukselit dhe Washingtonit.
Por Thaçi ka hedhur poshtë mundësinë që për këtë pjesë të ketë ndonjë extra –status. I pyetur nga gazeta amerikane “Time” rreth ndryshimit të kufijve, Thaçi ka thënë se nuk do të ketë ndryshime kufijsh.
“Para së gjithash, nuk do të ketë kërcënime për ndarje të territorit të Kosovës, nuk do të ketë këmbime të territoreve dhe nuk do të ketë autonomi speciale në Kosovën Veriore. Megjithatë, nëse dikush në Bruksel ka dalë me këtë ide për ndryshim të kufijve, atëherë kjo nuk do të ndalet vetëm në Kosovë ose në vendet fqinje. Do të vazhdojë në mbarë Ballkanin Perëndimor. Do të prekte të paktën gjashtë shtete”, ka thënë Thaçi.
E një ditë pas zgjedhjeve, për situatën në Veri ka folur edhe Ministri i Brendshëm, Bajram Rexhepi. Duke komentuar rreth organizimit të zgjedhjeve, Rexhepi ka thënë se Njësia Speciale e Policisë së Kosovës ka mundur të intervenonte, por sipas tij, një gjë e tillë “nuk ia ka vlejtur”. “Njësitë tona, edhe speciale edhe operative, kanë qenë në gatishmëri të plotë, por ne jemi zotuar se nuk marrim vendime pa u koordinuar me ndërkombëtarët dhe pa e qenë e domosdoshme”, ka thënën Rexhepi.
“Kemi vlerësuar se nuk ia vlen, se nuk kanë kurrfarë efekti juridik dhe nuk kanë legjitimitet që të intervenohet dhe të përdoret dhuna dhe do të prishte në përgjithësi një të drejtë demokratike të qytetarëve të Kosovës që të shprehin vullnetin e tyre për votim në bazë të standardeve europiane dhe legjislacionit tonë që e kemi për dyshtetësi”, ka shtuar ai.