Elbasan, braktiset 48-vjeçari i gjymtuar
Besnik Trushin, shtruar në kirurgjinë e Elbasanit nga 16 janari, pas një aksidenti, nuk e ka vizituar asnjë nga familjarët
Mjekët: Pas aksidentit i premë një këmbë. Nuk është interesuar askush, ndaj shteti t'i gjejë një zgjidhje
ELBASAN- Një 48-vjeçar është gjetur përballë braktisjes nga familjarët e të afërmit, pasi është përfshirë në një aksident që i ka kushtuar humbjen e njërës këmbë. Historia e trishtë e Besnik Trushit ka shqetësuar mjekët e spitalit kirurgjik të Elbasanit, të cilët i bëjnë apel strukturave shtetërore të gjejnë një zgjidhje për të. Sipas mjekëve, pas pak ditësh ai duhet të lërë spitalin, por që nga koha që ka mbërritur i sakatuar në urgjencë e deri më sot askush nuk ka denjuar ta vizitojë.
***
Historia merr udhë dy javë më parë, në datën 16 janar, kur Trushi, nga fshati Lozhan i Korçës u aksidentua nga një automjet në afërsi të fshatit Labinot-Fushë. Ai, aktualisht në shtratin e spitalit është fjalëpak, shumë i rezervuar dhe përsërit vazhdimisht se nuk kujton thuajse asgjë. Ka rrëfyer për mjekët, (sigurisht pasi e ka marrë vetën nga përplasja) se e kapërplasur një furgon teksa ishte duke kërkuar punë. Sipas burimeve spitalore, mbështetur edhe në të dhënat e policisë, mësohet se ka qenë një furgon i policisë që e ka transportuar 48-vjeçarin për në spitalin kirurgjik në Elbasan. "Furgoni i policisë e solli në urgjencë të gjakosur, të dëmtuar kryesisht në këmbë dhe gati pa ndenja",- thonë burimet spitalore. Sipas tyre, burri ishte gjetur në mes të rrugës, pasi mjeti që e kishte dëmtuar nuk ishte ndalur për t'i dhënë ndihmën e parë, apo qoftë edhe për ta sjellë në spital.
***
Vetë 48-vjeçari nuk mban mend asgjë lidhur me aksidentin. Ai kujton se ka dashur të shkonte më pas tek vëllai i tij, Qamil Trushi me banim në Vlorë. Pas kësaj asgjë nuk kujton. "Nuk më kujtohet asgjë tjetër, as si u aksidentova, as kush më goditi e as kush më solli në spital",- tregon ai. Kujton veç zgjimin në spital, në kohën që është përmendur dhe gangrenën që kishte në këmbë. Ka qenë pikërisht gangrena që i ka kushtuar edhe prerjen e këmbës së djathë, pasi sipas mjekëve dëmtimi i saj ishte shumë serioz.. Historia e Besnik Trushit është cilësuar mjaft tragjike për personelin e spitalit kirurgjik. Humbja e njërës këmbë dhe braktisja që ka pasur pacienti nga të afërmit më pas është zëvendësuar nga përkushtimi i mjekëve. Ende gjendja e tij paraqitet serioze, por jo me rrezik për jetën.
***
Nëpërmjet policisë është lajmëruar drejtoria e policisë Korçë për të lajmëruar të afërmit. Mësohet se pacienti ka thënë ndër të tjera se është i martuar dhe ka tre fëmijë, por asnjë nga të afërmit nuk është bërë i gjallë. Po kështu drejtoria e spitalit është përpjekur të kontaktojë me të afërm në fshatin Lozhan, por nuk ka pasur asnjë reagim nga këta të fundit. Askush nuk është interesuar për 48-vjeçarin, i cili pas pak ditësh do duhet të lërë shtratin e spitalit. Tashmë me një këmbë të prerë dhe ende të gangrenizuar, pa asnjë njeri që kujdeset, e vetmja mundësi që ka është një sistemim në një qendër sociale.