E Diel, 1 Nëntor 2026

Transballkanikja, shkon në 4 numri i grevisteve

Gratë greviste kërkojnë takim me kryeministrin: Nuk dalim gjallë, pasi nuk kemi ç'të humbasim
Vlorë-Ka shkuar në 4 numri i grave greviste për rrugën Transballkanike në Vlorë. Dje tre grave u është bashkuar dhe Sanije Arapi, 49-vjeç, e cila vetëm një ditë më parë ka mbërritur nga Greqia. Ecuria e shpronësimeve në këtë rrugë ka detyruar dhe emigranten të lerë punën dhe familjen atje, për tu solidarizuar me gratë greviste. "Kam ndjekur tërë kohës nga larg si po ecën procesi i shpronësimeve dhe duke qenë e cenuar prej tij, i jam bashkuar grevës, duke e parë si të vetmen mënyrë zgjidhje për problemin tonë",- thotë ajo. Arapi ka deklaruar se shtëpia është e saj që prej vitit 1950 dhe tanidiskutohet çështja e pronave. "Duam thjesht të na jepet vlera e shtëpive tona dhe çuditërisht një hartë që ka regjistruar shtëpitë tona, ka lenë jashtë kufijve të saj shtëpitë e mia, në një kohë që ato janë ekzistuese",- thotë ajo. Grevistja tjetër, Mërtiri, ka akuzuar pushtetarët, që sipas saj i gënjyen, kur i premtuan se gjithçka do të zgjidhet nëpërmjet gjyqësorit dhe procedurat e tij vonojnë. "Nuk duam përgjigje të tilla. Kërkojmë takim vetëm me kryeministrin",- thotë Mërtiri. Ajo kujton se kur ai preu shiritin e punimeve dhe banorët kishin dalë me parulla, kryeministri iu premtoi se të gjitha do të zgjidheshin, por ka ndodhur shumë më ndryshe. Ato theksojnë se kërkojnë vetëm kryeministrin dhe do dalin këtej vetëm po t'iu jepen dokumentacionet në dorë. "As vdekja nuk na tremb, pasi nuk kemi gjë për të humbur",- thonë ato.
 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›