E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pret ftesë nga Kuze

Besart Berisha, dita-ditës është duke iu rikthyer formës së tij të dikurshme. Sulmuesi kosovar po shkëlqen në fazën përgatitore me ekipin e tij, Arminia Bielefeld.

25-vjeçari, në dy ndeshjet e fundit miqësore që i ka zhvilluar skuadra e tij, ia ka dalë t’i realizojë pesë gola, duke e lënë kështu të mahnitur trajnerin e tij, por edhe zyrtarë të tjerë të klubit gjerman.

Ai thotë se ky është veç fillimi, duke besuar se shumë shpejt do ta mbërrijë formën optimale të tij.

“Po kaloj nëpër një formë shumë të mirë dhe dita-ditës po shkoj duke u ngritur. Trajneri është i befasuar me formën time nëpër të cilën po kaloj, por edhe zyrtarët e tjerë të klubit. Jam i bindur se do të vazhdoj kështu, dhe ta mbërrij në formën optimale”, ka deklaruar Berisha për Express.

Falë kësaj forme, Berisha shpreson që do të ftohet sërish në Kombëtaren e Shqipërisë, e cila e ka harruar qe një kohë të gjatë.

Ish-sulmuesi i Hamburgut mbetet me shpresë që selektori Josip Kuze do ta thërrasë atë për ndeshjen miqësore të 11 gushtit që Kombëtarja e Shqipërisë do ta zhvillojë në Tiranë ndaj Uzbekistanit, në prag të eliminatoreve për Euro 2012.

“Akoma nuk kam biseduar me selektorin Josip Kuze, apo me ndonjë menaxher tjetër të Kombëtares. Unë shpresoj që ata ta shfrytëzojnë këtë formë time të mirë, duke më ftuar në Kombëtare. Do të ishte mirë që Kombëtarja të ma japë rastin për t’u dëshmuar”, theksoi Berisha.

Trabzonspor, pas Berishës

Forma e mirë e Besart Berishës duket se ka filluar të vërehet edhe nga skuadra të ndryshme evropiane. Kështu thotë edhe vetë Berisha, i cili pohon se ka zgjuar interesimin e disa klubeve nga Turqia, Rusia dhe nga Bundesliga 2 gjermane.

Mirëpo, burime të gazetës Express, të afërta me lojtarin, tregojnë se skuadra turke, Trabzonspor po e vëzhgon vazhdimisht Berishën. Këtë nuk e ka përjashtuar as vetë Berisha, duke thënë se njëherë përnjëherë emrat e skuadrave të interesuara për të nuk mund t’i bëjë publikë.

“Po vëzhgohem prej disa klubeve. Kam oferta nga disa skuadra turke, ruse dhe nga ekipe të tjera gjermane të Bundesligës 2, por njëherë për njëherë nuk mund të zbuloj emra. Vetëm ndonjë ofertë shumë serioze do ta pranoja, përndryshe do të qëndroja këtu ku jam, sepse po ndihem mirë dhe e kam gjetur veten. Dua të luaj më gjatë për një ekip, sepse viteve të fundit kam lëvizur shpesh dhe tani ka ardhur koha të luaj më gjatë për një ekip”, ka thënë Berisha.

Basha ftohet në Kombëtare

Mesfushori kosovar, i cili luan me Atalanatan në Serie B të Italisë, Migjen Basha, më 11 gusht pritet të debutojë me Kombëtaren e Shqipërisë, e cila në Tiranë do ta zhvillojë një ndeshje miqësore ndaj Uzbekistanit. Lajmin e ka bërë të ditur vetë Basha për Express.

“Dokumentacionin e kam dorëzuar dhe pasaporta shumë shpejt pritet të bëhet. Menaxheri i ekipit kombëtar, Denis Bastari më ka thënë se Josip Kuze do të më ftojë për ndeshjen kundër Uzbekistanit”, ka deklaruar Basha, i cili tash e një kohë ishte në pritje të një ftese nga selektori i Kombëtares kuqezi, kroatit Josip Kuze.

Ndeshja ndaj Uzbekistanit do të jetë testi i fundit i skuadrës shqiptare para fillimit të eliminatoreve për Kampionatin Evropian.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›