E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ëndërron medalje në Olimpiadë

Majlinda Kelmendi vazhdon të jetë prezente në mediat e fuqishme botërore. Për xhudisten kosovare, kampione e botës në kategorinë e juniorëve, gjiganti mediatik, BBC, ka prezantuar një reportazh të veçantë dyminutësh, në projektin ’World Class’, ku janë përfshirë sportistët më të njohur botërorë që pritet të marrin pjesë ne Lojërat Olimpike, Londra 2012.

18-vjeçarja nga Peja ka treguar më hollësisht për rëndësinë që ka ky sport në jetën e saj, përgatitjet që po bën dhe për ëndrrën e saj – ta fitojë një medalje. “Ëndrra ime olimpike natyrisht është të fitoj medalje. Kjo do të ishte medalja e parë për Kosovën, por edhe për shqiptarët. Dhe, unë dëshiroj të jem personi i parë që do t’ua sjell shqiptarëve, apo Kosovës, nuk është shumë me rëndësi, medaljen e parë. Unë vetëm dua ta rrëmbej atë”, ka thënë Kelmendi për BBC.

Televizioni britanik ka qenë prezent në qendrën e stërvitjeve të Kelmendit në Pejë. Xhudistja e klubi Ippon ka treguar se sa është e lidhur me sportin e xhudos. Ajo ka shpjeguar se ndihet më së miri kur stërvit dhe në kompeticione të ndryshme.

“Xhudo ka rëndësi të madhe dhe do të thotë shumë për mua. Jam shumë e sigurt se, po të mos isha pjesë e këtij sporti, do të isha askushi, posaçërisht në Kosovë. Unë ushtroj shumë dhe kur fitoj, ndihem shumë mirë, ngase punoj fort. Kur dua të bëj diçka, mundohem ta bëj dhe e bëj, dhe nuk ma ndien se çka thonë të tjerët. Unë shkoj rrugës sime dhe dëshiroj ta bëj trajnerin dhe familjen time, të jenë krenarë me mua”, nënvizoi ajo.

Kelmendi tutje thotë se është mjaft vështirë që nga Kosova të dalë një kampion i botës dhe Evropës, derisa ajo ndihet me të vërtetë me fat që e ka afër dhe punon me një trajner të tillë si Driton Kuka, të cilin e ka falënderuar nga zemra, për punën që ka bërë deri tash për Majlindën, por edhe për ekipin në tërësi.

Sipas Kelmendit, sportistet në Kosovë janë më të fuqishme dhe më të përkushtuara për sportin, në krahasim me djemtë. “Këtu në Kosovë, femrat janë më të fuqishme. Dhe, kur duan të bëjnë diçka, e bëjnë. Ato punojnë fort kur duan të bëjnë diçka. Diçka që djemtë nuk mund ta bëjnë. Ata vetëm dëshirojnë të dalin jashtë dhe të rrinë me shoqëri. Ndërsa, femrat mund ta bëjnë këtë punë (sportin) më mirë”, ka thënë në fund të projektit, Majlinda Kelmendi.

Po ashtu, BBC-ja ka përmendur një fakt, se politika mund të jetë pengesë për shpresat e sportistëve kosovarë për olimpiadën Londra 2012. Mirëpo, sportistja më e suksesshme kosovare e pasluftës, Majlinda Kelmendi, sipas të gjitha gjasave do të marrë pjesë në evenimentin më të madh të sportit në botë, qoftë duke e përfaqësuar Kosovën, qoftë edhe Shqipërinë.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›