E Shtunë, 31 Tetor 2026

Xhaka debuton me gol në Ligën e Kampionëve (Video)

Granit Xhaka pati debutim përrallor me Baselin. Futbollisti i ri kosovar ka realizuar gol, në ndeshjen e tij të parë me ekipin senior të Baselit. Ekipi zviceran fitoi 2:0 të mërkurën mbrëma, në Hungari, ndaj ekipit Debreceni, në rrethin e tretë preliminar të Ligës së Kampionëve, derisa njërin gol e realizoi pikërisht 17-vjeçari nga Kosova.

Në fakt, mesfushori Xhaka është inkuadruar në lojë në minutën e 88-të në vend të Stockerit, ndërsa katër minuta më vonë (92’), me një projektil nga rreth 30 metra me të majtën e mposhti portierin kundërshtar, 0:2.

Kampioni i botës me ekipin U17 të Zvicrës nuk mund t’u besonte syve të tij që shënoi gol në debutimin e tij me ekipin e parë të Baselit. “Është e pabesueshme, është e pabesueshme”, thoshte ai pas ndeshjes.

Trajneri Thorsten Fink ia dha rastin në fund futbollistit shqiptar dhe nuk u zhgënjye. Me këtë rezultat, Basel e sheh veten më rehat dhe e pret me qetësi ndeshjen e kthimit, pas një jave.

“Graniti është vetëm 17 vjeç, por ne tashmë e dimë se sa bukur mund të gjuajë. Ai duhet të jetë i qetë dhe i durueshëm, sepse nuk mund t’i premtoj se do të luajë në çdo ndeshje. Ai ka një të ardhme të madhe dhe ne duhet të kemi kujdes me të. Xhaka dhe shënuesi i golit të parë, Stocker, na kanë vendosur në një pozitë të mirë. Ne tashti duhet ta mendojmë ekipin që do të mund ta mposhtë Debrecenin javën që vjen”, ka thënë Fink, i cili megjithatë nuk ia ka dhënë rastin ende këtë sezon vëllait të Granitit, 19-vjeçarit Taulant Xhaka.

Në përballje me Debrecenin, për Baselin është paraqitur edhe futbollisti tjetër kosovar, Xherdan Shaqiri. Mesfushori i ri ofanziv luajti 62 minuta, ndërsa ia lëshoi vendin bashkëlojtarit Tembo. Edhe pse Basel fitoi 2:0, 18-vjeçari thotë se kjo nuk ishte loja më e mirë e kampionëve zviceranë, të cilët sipas tij, kanë mundur të fitonin 3:0.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›