E Diel, 1 Nëntor 2026

Pretenca: 2 vjet burg dhe 1 milion lekë gjobë Ilir Metës

www.youtube.com/watch?v=y11xlItfWBU

 Flamur Vezaj

Prokuroria e Përgjithshme ka kërkuar dje nga Gjykata e Lartë shpalljen fajtor dhe dënimin e ish-zv.kryeministrit Ilir Meta me dy vjet burg dhe një milionë lekë gjobë për veprën penale të korrupsionit aktiv. Prokuroria vlerësoi se dëshmia e ish-ministrit Dritan prifti është e besueshme dhe e bazuar në provat filmike, por edhe në tablatet telefonike që tregojnë bisedat e kryera mes Metës dhe personave të tjerë që përmenden në video. Sipas prokurorisë, Meta kishte ndërhyrë pranë ish-vartësit të tij, Dritan Prifti, për të favorizuar biznesmenin Agim Rrapaj në dhënien e koncesionit për HEC-in e Shushicës. Lidhur me ankandin e naftës bruto, prokuroria iu referua bisedave të Metës me biznesmenin Bekim Halilaj, për favorizimin e kompanisë së tij. Vetëm ditën e ankandit, Ilir Meta kishte biseduar me biznesmenin 12 herë ndërsa në total kishte biseduar me të 192 herë. Por mbrojtja i kundërshtoi këto akuza duke thënë se Ilir Meta është i pafajshëm dhe se video është e manipuluar dhe dëshmia e Priftit është e sajuar. Ky qëndrim i akuzës është tërësisht i pambështetur në prova. I mbrojturi prej nesh, Zoti Ilir Meta nuk ka kryer veprën penale që i atribuon padrejtësisht akuza. Kërkojmë pushimin e çështjes dhe shpalljen e tij të pafajshëm,- thanë avokatët. Në përfundim Gjykata u tërhoq për vendim, i cili do të shpallet më datë 16 janar në orën 13:00.

Problemet e videos, sipas mbrojtjes

Mungesa e provës origjinale regjistruese

Mundësia e madhe të ndërhyrjes edhe në materialin jo-origjinal të ruajtur në Lap-top

Deformimi bisedë-transkript, veçanërisht në materialin bazë të regjistrimit kryesisht të procedimit, të realizuar në emisionin Fiks Fare

Ruajtja dhe administrimi i paligjshëm, nga organi i akuzës, i materialit teknik provues

Realizimin e akteve të paligjshme të ekspertimit përkatës

Mbrojtja: Video nuk është origjinale, Meta i pafajshëm

Avokatët mbrojtës të Ilir Metës kanë kundërshtuar dje pretendimet e prokurorisë dhe kërkesën e saj për dënimin e të pandehurit me dy vjet burg. Mbrojtja ka rindërtuar ngjarjen duke treguar versionin e saj dhe duke thënë se nuk ka asnjë provë që e lidh Ilir Metën me pretendimet e Dritan Priftit. Sipas avokatëve, video është e manipuluar ndërsa dëshmitarët treguan se ajo që tregon Prifti është e pavërtetë.

Më poshtë pjesët kryesore të mbrojtjes së Ilir Metës, e cila u lexua dje në gjykatë:

… Bazë për fillimin dhe ecurinë e këtij procedimi penal u bë një videoregjistrim i fshehtë i realizuar nga Dritan Prifti dhe i transmetuar fillimisht në një stacion televiziv dhe më pas dorëzuar në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë. Për shkak të qenies së provës së vetme të painfluencueshme dhe në të cilën sipas prodhuesve të saj ishin të evidentuara të gjitha rrethanat konkrete të kryerjes së veprës penale, ajo provë iu nënshtrua ekspertimit teknik.

U thirr një grup specialistësh në fushën përkatëse, të cilët morën detyrën për të ekspertuar videon në përmbajtje të saj. Njëkohësisht atyre ju kërkua për të parë mundësinë e ndërhyrjeve teknike dhe të manipulimit, si në pajisjet që ishin përdorur për realizimin e filmimit ashtu dhe në pajisjet e përdorura për ruajtjen e mbajtjen e videoregjistrimit. Pra u ekspertuan ora e tavolinës me anë të së cilës u pretendua se ishte realizuar filmimi i fshehtë, kompjuteri Lap-top ku ishte ruajtur filmimi për të gjithë periudhën nga realizimi i tij e deri ditën që ai u bë pjesë e ketij fashikulli, si dhe USB, sende dhe objekte këto të dorëzuar të gjitha nga dëshmitari Dritan Prifti.

Gjatë realizimit të ekspertimit u konstatua se në orën e tavolinës objekt ekspertimi nuk u evidentuan gjurmë të regjistrimit të bisedës Meta-Prifti. Në këtë orë, grupi i ekspertëve arriti të rikuperojë një video tjetër, e cila ishte fshirë më parë. Kjo video përmbante një bisedë mes shtetasit Leonard Beqiri dhe dëshmitarit Dritan Prifti.

Pra, përsa i përket çështjes sonë, në orën provë materiale dhe të pretenduar se me të ishte realizuar videoja e fshehtë Meta-Prifti, nuk u gjetën gjurmë relevante. I vetmi send apo provë materiale në kuptim të ligjit ku mund të gjendeshin gjurmët e veprës penale do të ishte në rastin tonë ora-kamera e tavolinës. Mungesa e filmimit të fshehtë në orën e tavolinës e pretenduar si mjeti me anë të së cilës është realizuar filmimi i fshehtë, e bën këtë filmim objekt ekspertimi të padobishëm për mbarëvajtjen e këtij gjykimi në kuptimin procedural penal.

Autenticiteti i filmimit të fshehtë që gjendet në kompjuterin Lap-top është vënë në dyshim nga anomalitë e konstatuara prej ekspertëve në aktin e ekspertimit, siç janë ndërhyrjet e shumta të provuara përkatësisht.

Sikurse theksohet në aktin e ekspertimit një video e humbet origjinalitetin e saj edhe duke u shkarkuar nga një objekt në një tjetër, por më e rëndësishme është që të mos ketë anomali, sikurse ka videoja e gjetur në Lap-top.

Më tej ekspertët kanë kryer ekspertimin e materialit që është servirur nga dëshmitari Dritan Prifti dhe që gjendet në kompjuterin Lap-top. Gjatë analizimit të këtij materiali nga ana e ekspertëve në minutën 11:25 konstatohet në spektër gjurmë e ngjashme me tik takun (tepër) të orës jo në harmoni me tik – tak-ët e tjerë të saj. Ky deformim i kurbës së sinjalit në pikat e mësipërme, tregon se probabiliteti i ndërhyrjeve të mundshme rezulton të jetë i madh. Sipas aktit të ekspertimit, në materialin audioviziv, i cili gjendet në Lap-topin e dorëzuar nga dëshmitari Dritan Prifti, konstatohen ndërhyrje të shumta, veprime teknike këto të kryera nga realizuesit e saj për të përfituar një sinjal të ri audio të njëjtë me atë të përfytyruar prej tyre, për realizimin e qëllimit përkatës.

Pavarësisht përpjekjeve të pafundme të akuzës, zbardhja përfundimtare e bisedës nuk favorizon qëndrimin e saj ndëshkues për zotin Meta, sepse pjesë të kësaj bisede, ku pretendohej realizimi i veprës përkatëse penale, nuk ishte e mundur të dëgjoheshin në asnjë rast. Përmbajtje të tilla komprometuese për zotin Meta, ekzistojnë vetëm në mendjen e dëshmitarit Dritan Prifti dhe në titrat spekulative të videoregjistrimit të transmetuar publikisht në emisionin televiziv Fiks Fare.

Avokatët: Dëshmitarët rrëzuan Dritan Priftin

Në konkluzionet e tyre avokatët u bazuan në një analizë që kishin bërë mbi dëshmitarin kryesor Dritan Prifti si dhe mbi dëshmitë e personave të tjerë, të cilëve u përmendet emri në video. Sipas mbrojtjes, dëshmia e priftit nuk ështe e besueshme ndërsa dëshmitarët e tjerë i dhanë të drejtë Metës. Më poshtë pjesë nga mbrojtja:

… Nga ana e akuzës për të provuar fajësinë e të mbrojturit prej nesh, zotit Ilir Meta, janë pyetur disa dhjetëra deklarues, nga të cilët gjatë shqyrtimit gjyqësor prej saj u thirrën vetëm 21, si dëshmitarë. Zoti Meta në kohën e lindjes së konfliktit me zotin Prifti ishte me këtë të fundit në kushtet e një superioriteti politik dhe institucional. Politikisht, zoti Prifti aderonte në partinë e drejtuar nga zoti Meta. Në kohën e publikimit të videos dhe të shfaqjes së saj në një media vizive, zoti Prifti e kishte humbur (sipas tij padrejtësisht), postin e ministrit. Këto janë fakte publike të njohura botërisht, dhe si mbrojtje çmojmë që nuk kanë nevojë të provohen shkresërisht apo ndryshe.

Zoti Prifti ka një precedent penal mbi afera korruptive e të lidhura këto ekzaktësisht me detyrën e tij të parë publike si drejtues i Korporatës Elektro-Energjetike të Shqipërisë. Ky procedim penal i regjistruar ndaj tij është pushuar vetëm në saj të mbrojtjes politike që i është ofruar zotit Prifti, nëpërmjet mos heqjes së imunitetit si deputet i Kuvendit të Republikës së Shqipërisë. Kjo provohet nga materiali i mbërritur nga Kuvendi dhe dorëzuar nga ana jonë në cilësinë e provës. Zoti Prifti gëzon fatk

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›