E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha në pritjen e Sarkozy: Interes dhe vlerësim i madh për Shqipërinë

Kryeministri Berisha mori pjesë në pritjen e organizuar në Pallatin Presidencial Elysee nga Presidenti i Republikës së Francës, Nicolas Sarkozy, për nder të personaliteteve që morën pjesë në Seminarin “Bota e Re 2012: Rritje, Ndryshim, Risi”, i cili u mbajt në Paris në 5 dhe 6 janar.
 

Më herët, Kryeministri Berisha ndoqi punimet e ditës së dytë të Seminarit, i cili u mbyll nga Kryeministri italian, zoti Mario Monti. Në Seminar, i cili u organizua nga ministri francez i Energjetikës z.Eric Besson, nën kujdesin e Presidentit Nicolas Sarkozy, u diskutua për modelet e reja të rritjes ekonomike, për fuqitë e reja ekonomike në botë dhe mbi vlerat e reja që duhet të ketë bota pas krizës ekonomike e financiare, si dhe mbi rolin e Evropës në ekuilibrat e rinj ndërkombëtarë.
Në një prononcim të dhënë për Televizioni Publik Shqiptar, pas pritjes së dhënë nga Presidenti Sarkozy, kryeministri Berisha u shpreh:

“Konferenca me temën “Bota e Re 2012: Rritje, Ndryshim, Risi” u mbyll me një fjalë të shkëlqyer të Presidentit Sarkozy, një analizë e situatës aktuale në Evropë dhe në botë, si dhe mendimet, sugjerimet e qeverisë franceze për vizionin e Presidentit për një Evropë të rithemeluar mbi bazën e disa parimeve të tjera.
 

“Ishte një pritje miqësore dhe bujare që Presidenti Sarkozy e shtroi për pjesëmarrësit në këtë konferencë. Në të merrnin pjesë dymbëdhjetë kryeministra, ministra Financash dhe personalitete nga vende të ndryshme, të cilët ishin të pranishëm në dy ditë debate, ndër më interesantet. Për mua ky ishte një rast jashtëzakonisht i veçantë, ku Shqipëria u rendit në tregjet që po rriten dhe paraqita modelin shqiptar, edhe një herë, të bazuar në të gjitha arritjet e tij dhe perspektivat. Me ç’ka u pa nga takimet e djeshme dhe të sotme, e vërteta është që interesi për Shqipërinë dhe vlerësimi për suksesin e saj ekonomik po bëhet gjithnjë e më i madh.
Unë shfrytëzoj rastin të falënderoj shumë përzemërsisht ministrin Besson për ftesën që më bëri dhe të gjithë hapësirën që mu krijua në këtë konferencë, Kryeministrin Fillon për përzemërsinë që dëshmoi dje ndaj meje në hapjen e konferencës, Presidenti Nikola Sarkozy për pritjen e shkëlqyer që rezervoi ndaj të gjithë të ftuarve, ndaj kryeministrave. Ishte i pranishëm Kryeministri italian z. Mario Monti, me të cilin shkëmbeva mendime dhe biseduam shumë përzemërsisht. Ishte Kryeministri i Çekisë z. Petr Necas, si dhe ministra e zyrtarë nga vende të ndryshme”-u shpreh Berisha.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›