E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pretenca: Gjergj Ndreca, 80 orë punë e detyruar

TIRANE- Gjergj Ndreca dhe Li rak Bejko, dy ish të përndjekurit që goditën ish-ministrin e Drejtësisë Ilir Rusmali dhe avokatin Agim Tirana, rrezikojnë të kryejnë 160 orë punë të detyruar në shërbim të komunitetit. Prokuroria e Tiranës kërkoi cilësimin e tyre fajtor për akuzat e "goditjes për shkak të detyrës" dhe "kundërshtimit të forcave të rendit" dhe dënimin e tyre me nga 3 muaj burg secili. Por, për shkak të gjendjes së tyre familjare, arsimore dhe ekonomike, prokurori kërkoi që dënimi me burgim ndaj tyre të pezullohet dhe dy të pandehurit, të cilët e kanë pranuar akuzën të kryejnë punë të detyruar në komunitet, nga 80 orë secili. Sipas akuzës, në datën 16.02.2012 rreth orës 09.30 përpara godinës së ish-të Përndjekurve Politike po bëheshin homazhet ndaj ish të dënuarit politik Gregor Zahari 74 vjeç, i cili kishte vdekur para disa kohesh dhe kishte qëndruar në Morgun e Tiranës disa ditë. 

Kufoma e Zaharisë, nuk ishte tërhequr nga morgu i Tiranës, pasi nuk kishte të afërm. Rreth orës 10.00 një grup ish të përndjekurish politikë po bënin homazhe në kujtim të Gregorit. Në këtë kohë ka dalë nga Kuvendi i Shqipërisë deputeti Ilir Rusmali për të shkuar tek makina e tij. Aty i pandehuri Lirak Bejko është afruar pranë deputetit dhe e ka goditur atë për shkak të detyrës së tij. Ndreca duke tentuar të pengojë arrestimin e mikut të tij, ka kundërshtuar forcat e rendit. Një javë më vonë, më 22 shkurt 2012 në vendin e quajtur Lokal Bar-Restorant "Lulishte 1 Maji", i pandehuri Gjergj Ndreca ka goditur avokatin Agim Tirana për shkak të detyrës së tij si hetues që ky shtetas ka pasur para shumë kohësh. Në masën e dënimit, prokurori Ervin Karanxha i kërkon Gjykatës të ketë parasysh gjendjen ekonomike të tyre, moshën e të pandehurve si dhe rrethanat familjare. Në raportin e shërbimit të provës, të cilit i referohet prokurori Karanxha, ku sugjerohet një dënim alternativ për të pandehurin Ndrea, ndër të tjera thuhet se "Gjergj Ndreca është 50 vjeç dhe jeton me bashkëshorten dhe 4 fëmijët në moshë të rritur. Lindur në një familje të madhe ai është fëmija i gjashte i familjes Ndreca. I ati i ka vdekur kur ai ishte 6 vjeç, njëra prej arsyeve pse Gjergji i referohet fëmijërisë se tij si tepër të vështire. Gjithashtu ai ka qene pjesë e një familjeje, e cila gjatë regjimit të kaluar ka kaluar nëpër vështirësi dhe internim, ndërkohë që xhaxhai i tij është pushkatuar për arsye politike. Fëmijërinë e tij e ka kaluar në Milot deri në moshën 20- vjeçare, kohë në të cilën është akuzuar dhe dënuar për "tentativë arratisje". Është liruar nga burgu në vitin 1991. Gjergji jeton në shtëpi me qera. Nuk ka të ardhura pasi është i papunë". Edhe për të pandehurin Bejko, shërbimi i provës ka sugjeruar dënim alternativ, pasi është i papunë, ka dy vajza të mitura, jeton në shtëpinë e të vëllait, si dhe ka probleme shëndetësore.
(m.a/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›