Pretencë e ngordhur, turp i ri i prokurorisë
Në seancën e fundit të procesit në Gjykatën e Lartë, Organi i akuzës merr të mirëqena akuzat e të pandehurit të drejtësisë, Dritan Prifti.
Avokatët e ish-kryeministrit Meta: “Prokuroria, institucion kollovar i politikës, pretenca e saj, akuzat e mashtruesit të vitit”
“Dështim i turpshëm i Prokurorisë”. Kështu u cilësua nga avokatët e Ilir Metës, seanca e djeshme për video – përgjimin Meta – Prifti, ku organi i akuzës kërkoi 2 vite burg dhe 1 milionë lekë gjobë për ish- zëvendëskryeministrin.
Gjatë dhënies së pretencës prokurorët e çështjes Bujar Sheshi dhe Anila Leka, theksuan se organi i akuzës e konsideron të besueshme dëshminë e ish-ministrit të Ekonomisë Dritan Prifti, sipas të cilit Meta ka favorizuar kompani të caktuara për ndërtimin e HEC-eve dhe për ankandet e naftës
Organi i akuzës pohoi se provat e disponuara, janë ato të denoncuara nga Dritan Prifti, ndërsa pranoi publikisht se s’kishte asnjë provë tjetër paralele që mund të forconte akuzat për korrupsion. Por sipas prokurorëve, dëshmia e Priftit mbështetet nga prova direkte dhe indirekte dhe kryesisht nga tabulatet telefonike.
Nga ana tjetër, i menjëhershëm ishte reagimi i avokatëve të Ilir Metës, të cilët kanë kundërshtuar vendimin e prokurorisë duke shtuar se qëndrimet e saj janë të pambështetura në prova. Kjo për faktin se akuzat e Dritan Priftit s’mund të merren të bazuara, pasi ai është një i pandehur i Drejtësisë, në aferën korruptive me ish vartësin e tij, Leonard Beqirin, me të cilin ndan një shumë të hollash prej 70 mijë eurosh. Menjëherë pas shtyrjes së vendimit nga Gjykata e Lartë për çështjen e video-përgjimit Prifti-Meta, njëri prej konsulentëve ligjorë të Ilir Metës, Spartak Braho, në një prononcim për mediat, e ka quajtur fatkeqësi për institucionin e Prokurorisë pretencën e dhënë gjatë seancës gjyqësore.
Sipas tij, Prokuroria është kthyer në shërbëtore të politikës së rrugës, ndërsa me vendimin e djeshëm regjistroi një tjetër skandal në shkeljen e ligjit.
“Lipset të deklarojmë se Prokuroria në kërkesën e saj sot provoi edhe njëherë se mbeti në mjerim të thellë profesional dhe ligjor për argumentet dhe pseudo-provat ku u mbështet. E shtrënguar nga mungesa e tyre, por edhe paaftësia, ne pamë se asaj gjatë gjithë procesit gjyqësor ju rrëzuan të gjitha pseudo-argumentet, prej të cilave ajo dhe vetë hoqi dorë, duke e parashembur kalanë prej rërë, të ndërtuar me pasion kriminal. Ajo që pamë dhe dëgjuam sot në këtë seancë, në të cilën ajo duhet të reflektonte, ishte që për të shpëtuar nga mbytja Prokuroria u kap me dhëmbë në gomonen e shpuar të mashtruesit të vitit. Fatkeqësi për këtë institucion i cili na u shfaq edhe njëherë si kollovar dhe shërbëtor i politikës së rrugës dhe jo i ligjit. Mund të themi pa më të voglin dyshim se pafajësia e Ilir Metës e kërkuar nga mbrojtja në seancën e sotme është evidente sepse e tillë është e vërteta”, u shpreh Braho.
Ndërkaq, Gjykata e Lartë ka shtyrë për në datën 16 janar vendimin për ish-zëvendëskryeministrin Ilir Meta. Në seancën e djeshme Prokuroria kërkoi 2 vjet burg, 1 milion lekë gjobë dhe pagimin e shpenzimeve procedurale, për kreun e LSI-së, i cili akuzohet për veprën penale të korrupsionit aktiv dhe abuzimit me detyrën.
Seancën e kaluar, Gjykata pranoi të gjitha provat shkresore të mbrojtjes ndërsa hodhi poshtë prokurorinë për disa nga provat, duke i cilësuar ato si të pabazuara dhe të paligjshme. Trupi gjykues pranoi të merrte në cilësinë e provës nga ana e akuzës, vetëm lap topin, USB-në dhe orën që ka shërbyer si kamera gjatë video-përgjimit.
Avokatët: Dritan Prifti emotiv, ka lëpirë çfarë pështyu për Nanon dhe Ramën
Pas dhënies së pretencës nga organi i akuzës, avokatët mbrojtës të Ilir Metës kërkuan pushimin e çështjes, duke akuzuar Prokurorinë si të paaftë dhe të papërgjegjshëm në respektimin e ligjit.
Avokatët Gëzim Veleshnja dhe Petrit Serjani kanë paraqitur konkluzionet e tyre përfundimtare menjëherë pas leximit të pretencës së organit të akuzës gjë e cila ndodh për herë të parë në seancat tona gjyqësore. Kjo ndodhi pasi gjatë shqyrtimit gjyqësor prokuroria nuk kishte asnjë fakt po e mbështeti akuzën vetëm në dëshminë e Dritan Priftit, i cili paralelisht është marrë i pandehur nga ana e prokurorisë nën akuzën për korrupsion.
Në konkluzionet e avokatëve mbrojtës theksohet fakti se nuk vërtetohet akuza e prokurorisë pasi ekspertimi konstatoi se në orën kamera nuk u gjet asnjë bisedë Meta-Prifti, ndërsa video-përgjimi rezultoi jo origjinal dhe i manipuluar. Padëgjueshmëria e bisedës u provua edhe nga tre ekspertimet e bëra në SHBA dhe Angli. Në konkluzionet e avokatëve po ashtu shkruhet se në lap-topin e dorëzuar në prokurori konstatohen ndërhyrje të shumta dhe veprime teknike për të përfituar sinjal të ri audio dhe video. Serjani dhe Veleshnja argumentuan se me dokumentacionin e paraqitur Gjykatës vërtetojnë se dëshmitë e Dritan Priftit nuk janë të besueshme pasi ai akuzonte Metën për ankandin në të cilin kishte paracaktuar si fitues firmën e bashkëshortes dhe dajës së tij. Avokatët kërkuan deklarimin e pafajshëm të Ilir Metës pasi fakti nuk ekziston. I vetmi fakt i vërtetë që doli gjatë këtyre muajve hetimi gjyqësor ishte video-përgjimi Prifti Beqiri i gjetur në orën kamera jo vetëm nga ekspertët shqiptarë, por dhe nga ata angleze e amerikane. E vetmja provë origjinale dhe autentike që doli në pah ishte videoja ku dëshmitari i vetëm i prokurorisë ish-ministri, Dritan Prifti shfaqet duke marrë mijëra euro nga vartësi i tij Leonard Beqiri.
Gjithashtu, avokatët i kujtuan trupit gjykues se zoti Prifti ka një precedent penal mbi afera korruptive e të lidhura këto egzaktësisht me detyrën e tij të parë publike si drejtues i Koorporatës Elektro – energjetike të Shqipërisë. Ky procedim penal i regjistruar ndaj tij është pushuar vetëm në saj të mbrojtjes politike që i është ofruar Dritan Priftit, nëpërmjet mos-heqjes së imunitetit kushtetues si deputet i Kuvendit të Republikës së Shqipërisë. Kjo provohet nga materiali i mbërritur nga Kuvendi dhe dorëzuar nga ana jonë në cilësinë e provës.
Gjithashtu avokatët e Ilir Metës sjellin në vëmendje se Dritan Prifti gëzon fatkeqësisht për të, një cilësi shumë të keqe të dëgjimit për shkak të një sëmundjeje dhe ndërhyrjes kirurgjikale pasuese të realizuar në vitin 2002. Ai nga njëri vesh, siç pohon dhe vetë shkresërisht para dy ish-Kryetarëve të Kuvendit, ka humbur përgjithmonë dëgjimin, dhe nga tjetri, ka një cilësi të ulët dëgjimi (rreth 30 për qind).
“E theksojmë këtë fakt në kushtet kur ai pohon se ka dëgjuar gjatë bisedës fjalë të cilat as aparatura përgjuese e aktivizuar prej tij nuk ka arritur t’i kapë”, vijuan avokatët.
Në përfundim, avokatët Veleshnja dhe Serjani, konstatojnë një tjetër fakt lidhur me personin e Dritan Priftit. Sipas tyre, Prifti është tejet emotiv si natyrë, pasi herë pas here ka ngritur akuza për korrupsion ndaj ish kryeministrit Nano, akuza ndaj Edi Ramës për përdorim të lëndëve narkotike dhe e fundit, akuzat ndaj Ilir Metës.
“Shtrembërimi i fakteve dhe agresiviteti publik ndaj figurave të ndryshme politike në vend, është karakteristikë e vazhdueshme e sjelljes dhe veprimtarisë së Dritan Priftit”, konkluduan avokatët e Ilir Metës, gjatë seancës gjyqësore.
Historiku i gjyqit/Prokuroria regjistroi një numër rekord shkeljesh ligjore
Më datën 11.01.2011, në televizionin “Top – Channel”, emisioni “Fiks Fare”, u transmetua një video e regjistruar me kamera të fshehtë, me përmbajtje të pretenduar, një bisedë të zhvilluar muaj më parë dhe konkretisht më datën 01.03.2010, ndërmjet ish zëvendëskryeministrit e deputetit Ilir Meta dhe ish ministrit e deputetit Dritan Prifti. Sekuencat filmike u shoqëruan me titra ku pretendohej nga media transmetuese, transkipt besnik dhe i plotë i bisedës.
Një ditë më pas, nga Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranë, “kryesisht” është regjistruar proçedimi penal nr. 136 i vitit 2011. Në aktin e regjistrimit të proçedimit penal, kjo zyrë Prokurorie pretendon që gjatë transmetimit të videos në emisionin “Fiks Fare”, janë bërë publike të dhëna që kanë të bëjnë me veprime të kundërligjshme dhe korruptive lidhur me dhënien e koncesioneve, si dhe me prokurime publike në Ministrinë e Ekonomisë (METE). Faktet e shpallura publikisht dhe të verifikuara me iniciativë nga organi i akuzës përmbajnë elementë të veprës penale që nuk ndiqet me ankim dhe për pasojë ky organ filloi të kryente veprime hetimore.
Më datë 13.01.2011, e njëjta Prokurori e Rrethit Gjyqësor Tiranë, pas paraqitjes së vullnetshme të Dritan Priftit, ka pyetur këtë të fundit në cilësinë e personit që tregon rrethana të dobishme për qëllime hetimi. Në këto deklarime Dritan PRIFTI pretendon “…presionin e ushtruar ndaj tij nga shtetasi Ilir Meta me qëllim që të kryente veprime që binin në kundërshtim me ligjin, duke i premtuar dhënien e shumave të konsiderueshme…” Ky deklarues (Prifti) është pyetur edhe dy herë të tjera nga përfaqësuesi i organit të akuzës lidhur me këtë çështje. Më datën 19.01.2011, Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranë “konstatoi” se nuk ishte organi që duhej të kryente veprime të mëtejshme hetimore në lidhje me këtë procedim. Në vendimin e shpalljes së mos-kompetencës lëndore, përmendet që “…sipas deklarimeve të Dritan Priftit shtetasi Ilir Meta i ka kërkuar kryerjen e veprimeve të kundraligjshme apo korruptive, dhe meqë ai është deputet i Kuvendit të Shqipërisë dhe Ministër, nuk është organi ynë kompetent për hetimin e këtij procedimi…”, dhe për pasojë u kaluan aktet e procedimit penal nr. 136 të vitit 2011 në Zyrën e Prokurorit të Përgjithshëm, si i vetmi organ kompetent për të kryer veprimet përkatëse lidhur me këtë procedim.
Më datën 24.01.2011, Prokuroria e Përgjithshme regjistroi procedimin penal nr. 1 të vitit 2011, pa emër dhe filloi të kryeje veprime hetimore. Konkretisht, janë pyetur dhjetëra deklarues, janë bërë verifikime të pafundme të deklarimeve të Dritan Priftit si dhe në shkelje të hapur të ligjës, është bërë në dy ekspertë të ndryshëm të huaj, ekspertimi teknik i video - regjistrimit të fshehtë. Në kuadër të këtij procedimi janë sekuestruar dhe administruar shume dokumente tenderësh, koncesionesh, tabulate telefonike dhe informacione të sistemit TIMS.
Pas fillimit të shqyrtimit gjyqësor dhe kërkesave të bëra nga mbrojtja me vendimin e ndërmjetëm të datës 11.07.2011, Gjykata e Lartë vendosi “... pranimin e kërkesës paraprake për pavlefshmëri dhe papërdorshmëri, përkatësisht, të akteve procedurale dhe të akteve të ekspertimit të përpiluara nga eksperti amerikan Glenn Bard dhe eksperti nga Mbretëria e Bashkuar Adrian Philipps...”
Këto akte u deklaruan nul dhe të papërdorshëm, sepse ishin përftuar në shkelje të dispozitave përkatëse procedurale penale. Gjykata me vendimin e datës 22.07.2011 ka vendosur që të kryejë ekspertimin teknik të video-regjistrimit, përcaktuar edhe personat e thirrur si eksperte, specialistë në fushën përkatëse, të cilëve ju dha edhe detyra për ekspertimin e videoregjistrimit të fshehtë të bërë nga Dritan Prifti.