E Shtunë, 31 Tetor 2026

Preteni: Vendime qesharake të gjykatave për mosdeklaruesit e pasurisë

Gati një milion euro ka pësuar humbje buxheti i Kosovës si pasojë e vendimeve të Gjykatave, në rastin e zyrtarëve që kanë bërë shkelje të ligjit duke mos deklaruar pasurinë. Përveç humbjeve në të holla, veprimet e sistemit të drejtësisë e kanë pamundësuar zbatimin në praktikë të pakos së legjislacionit për parandalimin dhe luftimin e korrupsionit, në kuadër të së cilës hyn edhe Ligji për Deklarimin e Pasurisë.

Drejtori i Agjencisë Kundër Korrupsionit, Hasan Preteni, ka thënë në një bisedë për KTV-në, se këto vendime janë qesharake, të jashtëligjshme dhe nuk ndihmojnë aspak në parandalimin e korrupsionit në vend.

Sipas tij, shifrat e dënimeve tregojnë për një pafuqi të gjyqësorit përball numrit të madh të zyrtarëve të lartë publikë, të cilët e shkelin ligjin. Preteni ka thënë se drejtësia nuk po e lufton aspak korrupsionin në Kosovë. Sipas tij, vetë fakti se deri tash askush i profilit të lartë nuk u dënua për korrupsion, tregon mungesën e veprimeve në sistemin e drejtësisë./Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›