E Diel, 1 Nëntor 2026

Prezantimi i qeverise Berisha Asgje e re nuk erdhi nga fronti i prillit

Qeveria e re e prezantuar nga Rama është komentuar nga Kryeministri Berisha në mbledhjen e radhës të qeverisë. Në vlerësimin e kreut të ekzekutivit qeveria në ardhje është e fryrë, duke  rënduar mbi xhepat e qytetarëve.  Sipas tij, këtij formati ia kalon Bjellorusia, ndaj i uroi Kryeministrit të zgjedhur që mos të ketë fatin e qeverisë së këtij vendi.  “Gjendja ekonomike është solide. Natyrisht, në qoftë se nuk e sulmon me shpenzime. Kryeministri ka të drejtë të emërojë cilin të dojë ministër. Kjo është në tagrin e Kryeministrit dhe ai ka përgjegjësinë e tij, por ndërtimi i një qeverie më të madhe se Italia, Spanja, Gjermania dhe se të gjitha vendet e tjera të Bashkimit Evropian është një thes i rëndë mbi barrën e taksapaguesve shqiptarë. Pavarësisht se disa lakej dhe servilë duan t’u mbushin mendjen se ministrat socialistë hanë më pak dhe se do të kushtojë më pak qeveria. Kjo është e kundërta. Janë 21 ministra. E thash që emërimet janë në tagrin e Kryeministrit dhe po ashtu edhe ndërtimi i ministrive. Ato ndërtohen sipas vendimit dhe konceptit të tij. Nuk është ai problemi, përveç ‘kushërirës’. Problemi është se mbi shpatullat e taksapaguesve shqiptarë do të rëndojë qeveria më e madhe. Aktualisht ia kalon vetëm Bjellorusia. Bjellorusia ka një qeveri më të madhe se qeveria që u shpall sot nga Kryeministri i ardhshëm. Unë uroj që të mos ndjekë rrugën e tij edhe në drejtime të tjera, siç e filloi me qeverinë. Unë jam kundërshtari i tij dhe në asnjë rrethanë nuk do të jem këshilltari i ndokujt”, nënvizoi Berisha.
Duke u mburrur me cilësinë e ministrave të tij, me të njëjtën gjuhë iu drejtua edhe ministrit të Shëndetësisë e ministres së integrimit. Në vend të Florion Mimës vjen Arben Ahmetaj, si pronar i kompanise Hermes. Ne vend të Genc Pollos Milena Harito, në lidhje farefisnore me Edi Ramën
"Zoti Kosova, sapo u shpall kabineti i ardhshëm, ku famozi Ilir Beqja do të ulet në karrigen tende për të çuar përpara mashtrimet antiglobaliste që u paraqiti shqiptarëve. Natyrisht nuk mund të them se është më pak i lumtur zoti Bode që në karrigen e tij do të ulet Çimi, se kështu e thërriste deri dje, i cili i hyri në zemër Rami Alisë vetëm se i tha të mbjellim patate. Kjo është e vërteta e Shkëlqim Canit dhe e karrierës së tij. Aldo, Sul Bushati në timon. Nuk më takon mua të komentoj në këtë mbledhje kabinetin, sepse flet ai vetë. Ai është kabineti që flet vetë. Majlinda e shoh që je e kënaqur. “Hermes” të ndjek pas. Ndërsa një pjesë të zotit Pollo, “kushërira”. Edhe ajo është një risi e këtij kabineti që do të vijë pas datës 7 shtator. Megjithatë këto janë disa nga çudirat, sepse të tjerat do të vlerësohen vetvetiu. Asgjë të re nga fronti i perëndimit - thotë Erih Maria Remark. Asgjë të re nga fronti i 1 prillit. Asgjë e re, të themi atë që është, përveç faktit që prania e disa zonjave më shumë në qeveri përbën një hap qartësisht pozitiv. Kjo nuk mund të mohohet. Për të tjerat, shih e shkruaj", vleresoi Kryeministri.

Në mbledhjen e sotme Këshilli i Ministrave miratoi disa vendime dhe projektligje të rëndësishme, në funksion të programit të qeverisë. “Në rendin e sotëm ka disa projektligje dhe vendime, të cilat kanë të bëjnë me ‘gropën’ e financave shqiptare, siç po thotë piktori, i cili në mënyrën më të pakonceptueshme dëshmon se nuk ka “abc”-në e infrastrukturës së institucioneve kombëtare dhe ndërkombëtare. Ai ka një muaj që çirret, si duket ka fiksuar ndonjë kompani për të ndarë paratë me të, për kompani ndërkombëtare auditi, ndërkohë që Fondi Monetar Ndërkombëtar është kryeauditi botëror për çdo qeveri, për çdo vend të lirë dhe të dhënat e tij janë të dhënat ndërkombëtarisht më të besueshme. Po kështu edhe të Bankës Botërore, të Bankës së Shqipërisë dhe të Komisionit Evropian”, tha Kryeministri Berisha.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›