E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prezantohen objektivat strategjike të MTPT-së

Prishtinë-Ministria e Transportit dhe Postë-Telekomunikacionit prezantoi sot dokumentin me “Objektivat strategjike të ministrisë deri në vitin 2014”. Zëvendës ministri Adem Grabovci tha se ky dokument është shumë i rëndësishëm, pasi përmes tij për herë të parë përcaktohen orientimet zhvillimore për të ardhmen. Ministria e Transportit dhe Postë-telekomunikacionit i ka përcaktuar pesë objektiva strategjike, që synon t’i arrijë deri në vitin 2014.

Objektiv primar është përmirësimi, zhvillimi dhe mirëmbajtja e infrastrukturës së transportit dhe infrastrukturës së komunikimeve elektronike të integruara në korridoret pan-evropiane në përputhje me standardet ndërkombëtare. Zëvendës ministri Adem Grabovci tha se ky dokument strategjik është shumë i rëndësishëm, pasi përfshiën orientimet zhvillimore për të ardhmen.

Ndër objektivat tjerë sektorialë të Ministrisë së Transportit janë zhvillimi i mjedisit të favorshëm dhe të sigurt rregullativ për ngritjen e cilësisë së shërbimeve në fushën e transportit dhe komunikimeve elektronike, shtimi i sigurisë në komunikacion dhe anëtarësimi dhe bashkëpunimi i Kosovës me organizatat ndërkombëtare. Objektiv tjetër me rëndësi është edhe krijimi i strukturës funksionale me kuadër njerëzor, theksoi Blerand Stavileci, këshilltar i ministrit të Transportit Fatmir Limaj.

Hartimin dhe financimin e këtij dokumenti e ka ndihmuar Zyra ndërlidhëse e Komisionit Evropian, dhe pas kompletimit me vërejtje dhe sugjerime, grupi punues do ta analizojë dhe do ta dorëzojë në qeveri për miratim. Por, zyrtarët e ministrisë nuk dhanë hollësi rreth kostos së kësaj strategjie, me arsyetimin se janë duke u bërë përllogaritjet rreth saj. /rtk/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›