Prezantohet "Shenja mbi ekran", një cikël kushtuar personave me aftësi të kufizuara
Katër filma të shkurtër, ku aktorët protagonistë nuk janë ata që jemi mësuar të shohim zakonisht, do të shfaqet sot pasdite në Tiranë. "Shenja mbi ekran" titullohet cikli i realizuar nga regjisorët Kledi Kapexhiu, Ibrahim Muçaj dhe Erard Gjermani. Kanë drejtuar një staf "të pazakontë". Rreth 26 persona me aftësi të kufizuara janë përfshirë në realizimin e filmave "Drita e shpirtit", "Një ëndërr me dy rrota", "Tre miq" dhe "Një hap", që do të shfaqen premierë sot pasdite në kinema "Millenium" e më tej edhe në sheshet kryesore të kryeqytetit. Puna për këto filma ka filluar që në muajin korrik të këtij viti, kur personave që nuk shikojnë, nuk dëgjojnë dhe atyre paraplegjikë u janë dhënë disa leksione dhe njohuri mbi gjuhën audio-vizuale, për të vazhduar më pas me xhirimin e katër filmave me metrazh të shkurtër të krijuar nga historitë e sjella prej vetë personave të përfshirë në projekt. Edhe procesi i krijimit është regjistruar në një dokumentar që titullohet "Shenja mbi ekran". Artistët që kanë udhëhequr këtë projekt të organizatës "Akt" dhe të mbështetur financiarisht nga ambasada holandeze, besojnë se u kanë dhënë mundësi personave me aftësi të kufizuara të shfrytëzojnë gjuhën unike të filmit për të shprehur sa më mirë ndjenjat, mendimet, idetë, dëshirat apo qëndrimet e tyre. Secili prej këtyre katër filmave të shkurtër, i vendos këto personazhe që vuajnë mungesa të caktuara në jetë, në situata përmes të cilave publiku arrin të kuptojë përjetimet e tyre, domosdoshmëritë që kanë në jetë, duke përcjellë edhe një mesazh shprese.