E Diel, 1 Nëntor 2026

Me librat në Panairin Ndërkombëtar

Thonë se një shëtitje nëpër Panairin e Librit Ndërkombëtar të Librit në Frankfurt i ngjan një shëtitje rreth botës: shtëpi botuese që ekspozojnë nga më shumë se 100 vende të botës, duke u paraqitur librat e tyre vizituesve. Panairi i famshëm i Frankfurtit çelet sot. Është parashikuar që të qëndrojë i hapur deri më 18 tetor. Pritet që në këtë veprimtari të rëndësishme të librit të marrin pjesë disa shtëpi botuese nga Shqipëria, edhe pse ende nuk dihet se cilat janë ato. Sipas Shoqatës së Botuesve Shqiptarë, vendi ynë është ndoshta ndër të vetmit pjesëmarrës në Panairin e Librit të Frankfurtit, që nuk ka një stendë të vetën. Për këtë arsye, botuesit tërheqin vëmendjen për mungesën e mbështetjes nga ana e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. Ndërkaq, mediat e huaja bëjnë të ditur se kjo veprimtari do të çelet me pjesëmarrjen e Kancelares gjermane, Angela Merkel, si dhe zëvendëspresidenti i Kinës, Xi Jinping. Nuk është rastësore pjesëmarrja e këtij të fundit. Në edicionin e 61 të panairit, është Kina vendi që vesh petkun e të ftuarës së nderit në Frankfurt. E duke iu referuar të ftuarit të nderit, të shumta janë shpresat e atyre që mendojnë se ky panair, takimi më i rëndësishëm ndërkombëtar për shkëmbimin e të drejtave të autorit, është një rast shumë i mirë për diskutimin mbi lirinë e shprehjes dhe censurën në Kinë. Në fakt, gjatë javëve të fundit, prania në këtë panair e ish-Perandorisë së Kaltër në cilësinë e të ftuarës së nderit ka ndezur jo pak polemika. Janë ngritur pyetje të shumta mbi këtë pjesëmarrje në Frankfurt. A ishte e nevojshme apo mos ndoshta ishte një gabim që vendit lindor t‘i jepej një nderim i tillë, duke pasur parasysh se situata e të drejtave të njeriut dhe liria e shprehjes vazhdojnë të shqetësojnë komunitetin ndërkombëtar. Drejtori i panairit, Juergen Boos, ka thënë disa herë se prania e Kinës në Frankfurt do të detyrojë vendin të hyjë në diskutim të hapur mbi temën e të drejtave dhe censurës. Poeti disident kinez, Bei Ling, gjatë një konference për shtyp të organizuar nga "International Society for Human Right", ka deklaruar se ai dhe të tjerë shkrimtarë do të jenë në panair jo vetëm për të dëgjuar "zërin e shkrimtarëve zyrtarë. Ne kemi një tjetër zë, zërin e letërsisë që vepron nën dhe, poezinë e nëndheshme". Edhe Kancelarja gjermane, Angela Merkel, ka siguruar se nuk do ta shmangë bisedën e censurës gjatë takimit të saj me zëvendëspresidentin kinez Xi Jinping në çelje të panairit. "Në bashkëbisedim me përfaqësuesit kinezë do të them se liria e mendimit nuk është një kërcënim, por një mundësi", ka thënë Merkel. "Panairi i Frankfurtit është një mundësi për Kinën dhe për pasqyrimin e kulturës dhe letërsisë së pasur që ajo ka", ka vijuar më tej kancelarja. Ndërkaq, pritet prania e shkrimtares Mo Yan dhe e çmimit "Nobel" për letërsinë Gao Xingjian (që jeton në azil në Francë), duke shpresuar kështu që imazhi i Kinës të mos jetë vetëm zyrtar. Shkrimtarja gjermane, Hertha Muller, fituese e çmimit "Nobel" për letërsinë për vitin 2009, do të jetë sot e ftuar në Panairin e Librit. Muller do të marrë pjesë në manifestimin tradicional "Literatur im Römer". Ndërsa është vendosur që më 18 tetor, ditën e fundit të panairit, shkrimtari dhe gjermanofolësi italian Claudio Magris do të nderohet me Çmimin e Paqes nga librarët gjermanë. Shtatë mijë do të jenë shtëpitë botuese që do të ekspozojnë librat e tyre. Por në panairin e Frankfurtit nuk ka vetëm libra. Spektaklet kulturore janë të shumta, 2600 të tilla. Është kjo lista e gjatë që gjendet në websitin zyrtar të panairit. Historia e Panairit Ndërkombëtar të Librit në Frankfurt nis në vitet 1600, kur Johannes Gutenberg në Magonza (vend pranë Frankfurtit) shpiku të shtypurën me germa lëvizëse. Deri në vitet 1800, Panairi i Frankfurtit mbeti më i rëndësishmi në të gjithë Europën. Ndryshimet politike dhe ekonomike bënë që në vitet 1900, Lipsia të kthehej në qendrën e industrisë së librave dhe botimeve. Pas ndarjes së Gjermanisë në vitin 1949, Frankfurti zbuloi edhe një herë traditën e vjetër dhe që nga ajo kohë është kthyer në panairin më të madh të librit në të gjithë botën, një markë cilësie për të gjithë kulturën.

a.h.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›