E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Eduardi III" u shkrua nga Shekspiri dhe Thomas Kyd

Një softuer antiplagjiaturë zgjidh një mister letrar dhe historik që vijon të ngrejë pikëpyetje edhe pas 400 vitesh. Brian Vickers, studiues i Uilliam Shekspirit, tashmë nuk ka më asnjë dyshim: "Eduardi III", publikuar për herë të parë në formë anonime në vitin 1596, është shkruar me katër duar. Poeti dhe dramaturgu anglez ka bashkëpunuar me kolegun e tij Thomas Kyd për ta shkruar këtë vepër. Në këtë përfundim Vickers, studiues në Universitetin e Londrës, ka dalë duke përdorur "Pl@giarism", software-n që arrin të çjerrë maskën e studentëve kopjues, duke zbuluar frazat e "vjedhura" prej veprave të tjera. Sipas së përditshmes "Time", që ka bërë të njohur studimin e Vickers, enigma e "Eduardi III" (titulli origjinal i të cilit është "The Reign of King Edward III"), është zgjidhur pjesërisht në fund të viteve ‘90, kur vepra u bë zyrtarisht pjesë e përmbledhjes së teksteve të shkruara prej Shekspirit, edhe pse ishin të shumtë studiuesit që asokohe kundërshtonin, duke hedhur hipotezat se për të shkruar këtë vepër dramaturgu i famshëm, dora e të cilit ishte pjesërisht e dukshme në vepër, kishte bashkëpunuar me dikë tjetër. Programi në fjalë nxjerr në pah "gjurmët linguistike": fraza të përsëritura, të cilat identifikojnë të dhënat e një vepre. Vickers thotë se në tekstet e shkruara nga autorë të ndryshëm gjenden kryesisht 10 deri në 20 fraza të ngjashme. Ndërsa në rastin e "Eduardit III", janë gjetur 200 "gjurmë", mes kësaj vepre dhe të tjerave të shkruara nga Shekspiri para vitit 1596.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›