Frymëmarrja që i duhet karikaturës shqiptare
Një det valixhe, gjurmë lopatash që të kujtojnë drithërimën para nisjes, një udhëtar i zhytur në errësirën e tij dhe varka, mjeti jetim që shumë i besuan jetën. E gjitha simbolikisht do të barazohej vetëm me një fjalë: emigrimi. Ndërsa kjo valixhe, si mjet i zgjedhur për shprehje artistike, të çon te piktori Agim Sulaj. Përshkrimi i mësipërm është një karikaturë e realizuar së fundmi nga Sulaj. Posteri i madh i saj në hyrje të galerisë personale të artistit në Tiranë, lajmëron edhe çmimin e fundit në këtë gjini. Në edicionin e dytë të konkursit kombëtar "Carta Vetrata", organizuar në Itali, mes 106 artistëve Agim Sulaj rrëmben çmimin e madh. Sërish valixhja, sërish emigrimi dhe një juri që e përzgjedh më të mirin. Ky motiv, të cilit piktori i rikthehet herë pas here, lindi së pari në vitin 1990. Në të parin konkurs ndërkombëtar karikature për të, "Aydin Dogan International Cartoon Competition" të Ankarasë, merr çmimin special. "E pikturova atë shtëpi valixhe pa e ditur se një ditë do ta merrja vetë rrugën. I jam rikthyer herë pas here në pikturë, por edhe karikaturë këtij motivi, sepse kemi shumë pika të përbashkëta. Në shtëpi kam një valixhe lëkure që e kam blerë në treg, të cilën e shoh shpesh si objekt frymëzimi. Pas valixhes-shtëpi krijova një të huaj që bredh me valixhe bosh dhe tani një det të pafund. Akoma e ndiej atë kallon e lehtë të mbajtjes së saj, si i vetmi mik i rrugës tënde. Në galerinë e hapur, ku çdo gjë është e imja dhe e palëvizshme, më mungon përsëri ikja. Jam i infektuar me ikje e ardhje, ardhje e ikje, ndonëse asnjëherë nuk e gjeta motivin e vërtetë që më çoi në udhëtim. Në këtë rast valixhja e karikaturave të mia kërkon të jetë thjesht një objekt udhëtimi dhe jo i një jete në mërgim, drejt së panjohurës". Sulaj i thotë qetë këto fjalë. Për gati 20 vjet ai vazhdon ende të krijojë brenda kësaj shtëpie-valixhe. Veçse e panjohura i rezervoi një terren ku u rrit si artist. Ndërsa në Shqipëri karikatura vuan një gjendje agonie, Sulaj, i dalë nga shkolla e revistës "Hosteni", përjeton vlerësime të vazhdueshme në konkurse ndërkombëtare. Ftesa më e fundit i ka ardhur nga Irani. Procesi krijues brenda tij tashmë funksionon më së miri. "Unë e kam gati mekanizmin për këtë gjini. Mjafton vetëm ideja, ndërsa trajtimi i saj përvijohet shumë shpejt, përfshi edhe mënyrën apo teknikën se si do ta punoj", thekson ai. Piktura po ashtu ka pasur ikjet e rikthimet e saj në jetën e tij artistike. Sot, i ndërthur të dyja si dy mjete shprehëse që e ndihmojnë njëra-tjetrën. Në këto vajtje-ardhjet në Tiranë, nuk u shmanget komenteve për agoninë e karikaturës shqiptare. Detyrimisht bisedën e çon në kohët e arta të "Hostenit". "Fillimet e mia në karikaturë dhe pikturë kanë qenë rastësore. Mësuesi im i karikaturës dhe pikturës, piktor i njohur i asaj kohe, Sabaudin Xhaferri, shpeshherë publikonte karikaturat e tij në revistën e njohur për publikun shqiptar të asaj kohe. Duke vëzhguar detajet e mia ose etydet, më nxit që të provoja të paraqisja disa prej tyre te "Hosteni". Si student në Tiranë, për mua ishte ëndërr që atëherë të bashkëpunoja me këtë revistë. Në vitin 1978 prezantova ilustrimet e para. U pëlqyen dhe unë fillova të merresha me kopertinat, kryesisht me tema nga jeta e vendit. Burokracia, karrieristët, probleme të vazhdueshme të shoqërisë sonë do të më shërbenin si subjekt artistik. Fitova disa çmime të para në konkurse vjetore të organizuara nga revista. Kur mbarova Akademinë e Arteve u punësova në të dhe vazhdova aty deri dy vitet e fundit, kur diktatura po lëngonte. Më tej, sistemi u rrëzua dhe "Hosteni" nuk u prodhua më. Ishte fatkeqësi, sepse shumë karikaturistë që publikonin aty, si Ilir Pojani, Medi Belortaja, Bujar Kapexhiu, Tef Palushi dhe shumë të tjerë të njohur, filluan gjithsecili të merrej me punët e veta. Po vinte një sistem i ri që duhej ta përballonin duke filluar që nga ekonomia", tregon Sulaj. Në këtë kohë u mor kryesisht me pikturën. Vitit ‘90 i përket edhe tabloja e madhe e Ali Pashë Tepelenës që ndodhet sot në muzeun e Ali Pashës në Janinë. U desh një vizitë e italianit Flavio Marketi që të hapej një ekspozitë karikature në Rimini. Atëherë Shqipëria ishte një vend që ngjallte kureshtje. Trajtimi i saj përmes karikaturës ishte rasti më i mirë për ta kuptuar. Këtu nis rruga e prezantimeve, kryesisht si karikaturist. Fillimisht në konkurse brenda Italisë e më tej në Gjermani, Francë, Turqi. Sot lista e konkurseve ndërkombëtare dhe e çmimeve është bërë shumë e gjatë. "Më vjen keq për karikaturën shqiptare, që thuajse nuk lëvrohet sot, sepse ai terren, ku u mboll karikatura shqiptare, arriti të edukojë dhe të kurojë estetikisht artistë që i rezistonin edhe kohës. Karikatura sot është më e fortë në vendet ku ka mungesë të theksuar demokracie, sepse atje karikaturisti bëhet më i "xhindosur" e përpiqet ta demaskojë këtë mungesë frymëmarrje ose lirie. Të tilla janë Meksika, Ukraina apo Rusia, ku kemi edhe karikaturistët më të njohur. Në Shqipëri, karikatura duhet për të përmirësuar jetesën dhe nivelin kulturor të masës së njerëzve, duke u dhënë mesazhe të një jete më të shëndetshme", thotë Sulaj, teksa vëren edhe mungesën e saj në botimet e përditshme. Stimulimin për organizimin e konkurseve ndërkombëtare, prezantimin e karikaturistëve të njohur, e sheh si një domosdoshmëri për t‘i dhënë një frymëmarrje të re kësaj gjinie. Do të qëndrojë edhe pak ditë në Tiranë, e do t‘i kthehet më pas "emigrimit" të tij artistik, që e ka afirmuar në shumë vende të botës.