E Diel, 1 Nëntor 2026

6 filma spanjollë rrëfejnë tranzicionin në Shqipëri

"Vjeshta kulturore spanjolle, Shqipëri 2009", sjell për publikun shqiptar 6 filma spanjollë mbi proceset e tranzicionit. Duke filluar prej mbrëmjes së sotme, në kinemanë "Imperial" në kryeqytet do të fillojnë të shfaqen për gjashtë ditë, gjashtë filma të ndryshëm të realizuar nga regjisorët më të mirë spanjollë. Përmes këtyre filmave, ambasada e Spanjës kërkon që të pasqyrojë ndryshimet që kanë ndodhur në shoqërinë spanjolle në pesëdhjetë vitet e fundit. Filmat e zgjedhur përbëjnë një ftesë për publikun shqiptar për t‘i shoqëruar ata në një udhëtim në kohë përgjatë kinemasë, që prej filmit të vitit 1952 të Luis Garcia Berlangës, deri te regjisorë si Alejandro Amenabar, duke zbuluar kështu etapa të ndryshme dhe aspekte kyçe të tranzicionit demokratik dhe transformimeve të ndodhura në Spanjë. "Vjeshta kulturore spanjolle, Shqipëri 2009" është një ngjarje kulturore shumëdimensionale, e ndërmarrë nga ambasada e Spanjës në Tiranë. Gjatë kësaj periudhe, ajo ka bashkëpunuar me institucione të ndryshme kulturore në vendin tonë, si me Galerinë Kombëtare të Arteve, ku u çel së fundmi një ekspozitë e fotografit spanjoll Jordi Socias. Filmat në program janë "Mirëserdhët zoti Marshall", 1952 (Luis Garcia Berlanga), "Vota e diskutuar e zotit Cayo", 1986 (Antonio Jimenez Rico), "Lucia dhe seksi", 2001 (Julio Medem), "Nëntor", 2002 (Arkero Manas), "Racione", 2005 (Jezus Korbako dhe Juan Kruz), "Të tjerët", (Alejandro Amenabar).

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›