Prezantohet në Komisionin për Ekonominë dhe Financat, Raporti i Vitit 2009 i Avokatit të Prokurimeve Publike
Komisioni për Ekonominë dhe Financat u njoh sot me veprimtarinë e punës së Institucionit të Avokatit të Prokurimeve Publike për vitin 2009, i cili u prezantua nga kreu i këtij institucioni, zoti Altin Qoshja.
Në fjalën e tij, z. Qoshja theksoi se gjatë vitit 2009, AVP ka siguruar mbikqyrjen e zbatimit të ligjit dhe rregullave të prokurimit, si dhe respektimin e procedurave të prokurimit dhe dhënies me konçension nga autoritetet kontraktore për garantimin e operatorëve ekonomikë në transparencën e procedurave.
Gjithashtu ai theksoi se ligji për prokurimet publike nuk lë hapësira për të favorizuar operatorë ekonomik të caktuar, në mënyrë klienteliste. Në mënyrë të veçantë, ai theksoi se Shqipëria është vendi i dytë në botë me 100% prokurime publike online ndërsa vuri në dukje se ky sistem ka ndikuar në uljen e nivelit të korrupsionit si dhe thellimin e luftës kundër këtij fenomeni.
Pasi u njohën me raportin vjetor të AVP, anëtarët e Komisionit të Ekonomisë duke vlerësuar punën e këtij institucionit theksuan se janë bërë hapa cilësor përsa i përket përafrimit të legjislacionit shqiptar me atë të Bashkimit Europian.
Më tej theksuan rëndësinë që ka rritja e cilësisë së ofertave në bazë të projekteve.
Ata e cilësuan institucionin e Avokatit të Prokurimeve Publike si një institucion që ka rritur besimin tek operatorët ekonomikë dhe është një progres i rëndësishëm për sistemin ekonomik në vend duke rritur dukshëm konkurrencën.
Anëtarët e Komisionit të Ekonomisë vlerësuan edhe kontributin e këtij institucioni për rekomandimet e dhëna lidhur me përmirësimin e bazës ligjore.
Në mbledhjen e radhës së këtij Komisioni, anëtarët do të prezantojnë një projektrezolutë përmes së cilës do të japin vlerësimet për veprimtarinë e punës së institucionit të APP si dhe do të japin rekomandimet për vitin 2010.