Të rinjtë e teatrit në udhëkryq
Ata kanë dëshirë të bëjnë teatër. Të paktën me këtë ide hyjnë në shkollë. Por duket se realiteti i mëpastajmë nuk ka shumë shpresa. Në një tryezë të rrumbullakët, të organizuar dje me rastin e Festivalit Teatror të të Rinjve, regjisorë dhe aktorë pjesëmarrës në të, kanë hedhur në diskutim edhe shqetësimet. Në këtë tryezë të rrumbullakët, të drejtuar nga regjisori Adonis Filipi, këndvështrimet e pjesëmarrësve kanë qenë të ndryshme. Pjesa më e madhe e tyre, e kanë quajtur projektin, financuar nga Ministria e Kulturës, si një mundësi e mirë që ata të provojnë veten në skenë. Ky aktivitet ka arritur në edicionin e tij të katërt, i cili ka sjellë në konkurrim 5 shfaqje të regjisorëve të rinj. Buxheti ka qenë më i vogël se ai i vitit të shkuar, megjithatë ata e pranojnë si një mundësi që s‘gjendet lehtë. "Ne e dinim që në fillim sa ishte buxheti. Me atë shifër (600 mijë lekë) jemi munduar të bëjmë më të mirën", është shprehur regjisorja Juli Sinani, e cila ka vënë në skenë "Over There", një pjesë simbolike nga Doru Mutok. Disa nga regjisorët e rinj kanë tentuar edhe në vepra të dramaturgëve të mëdhenj, disa edhe në vepra shqiptare. Më shumë sesa sfidë, këtë zgjedhje e kanë komentuar si një periudhë të përshtatshme, kur ata mund të eksperimentojnë me prirjet e tyre artistike. "Nëse nuk do të provojmë tani kur jemi në fillimet e karrierës, e shoh të vështirë të vazhdoj më pas", ka thënë Sinani. Por të gjithë janë në një mendje se hapësirat për ta dhe mundësitë për të gjetur mbështetje për ngjitjen e veprave në skenë, janë të pakta. Disa e kanë quajtur veten edhe idealistë. Adonis Filipi e ka quajtur një nga edicionet më të mira, por ndryshe mendon regjisori Mehmet Xhelili, i cili ka kërkuar më shumë vëmendje ndaj këtyre të rinjve. "Unë nuk do të kisha hyrë në këtë festival, nëse nuk do të më duhej kjo shumë për të plotësuar një projekt që kisha nisur më parë. Është e pamundur që me kaq lekë të ngjisësh shfaqje në skenë", ka thënë regjisori Mikel Kalemi, i cili prezantohet me shfaqjen "Kthesa". Sipas tij, nëse nuk ndryshon ligji dhe të ketë një reformë në teatër, të këtë një ligj sponsorizimesh të zbatueshëm, askush nuk do t‘ia dijë për teatrin. "Ligji i sponsorizimeve funksionon vetëm për fushata zgjedhore. Për ne, artistët, nuk bëhet asgjë", shprehet Kalemi. Sipas tij, festivali dhe situata të tilla do të vazhdojnë përderisa do të ketë të rinj që do duan të shfrytëzojnë dhe mundësinë më të vogël. Ndërsa thekson se të rinjtë nuk kanë mundësi financiare që të bëjnë projekte, ku të ftojnë aktorë të njohur e të përfitojnë nga eksperienca e tyre. Ndryshe mendon Enton Kaca. Sipas tij, vështirësitë financiare edhe kapërcehen, nëse ka një frymë bashkëpunimi. "Të rinjtë që duan të bëjnë teatër nuk duhet të presin që institucionet t‘i shtrijnë dorën dhe t‘i mbështesin. Ata duhet të bëhen në grupime të vogla që të prodhojnë shfaqje pa kosto të madhe nga ana teknologjike apo artistike. Kjo formë pune fillon të krijojë atë që quhet idealizëm dhe largon aspektin financiar si formë primare e mbledhjes. Sot të bësh teatër nuk do të thotë të jesh prezent sa për mediatizim, apo të përfitosh shuma hollivudiane", shprehet ai. Në fakt probleme të tilla kanë disa vite që vetëm diskutohen. Ndërsa të rinjtë i mbajnë sërish sytë nga një projekt i mundshëm. Në të kundërt, mos angazhimi shkon për një vit të tërë, apo i detyron të merren me punë të tjera. Pesë regjisorët e rinj dhe shfaqjet e tyre do vlerësohen më datën 22 nëntor nga një juri profesioniste me çmimet "Shfaqja më e mirë", "Regjisori më i mirë" dhe "Aktori më i mirë".