E Diel, 1 Nëntor 2026

Krimi, Burgaj nis inspektimin

Kreu i Policisë së Shtetit pritet të kryejë një inspektim disa ditor në Policinë e Tiranës dhe në komisariate


Qëllimi i vizitës së Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, pritet të jetë situata e krimit kundër pronës në kryeqytet


TIRANE- Drejtori i Përgjitshëm i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj, nis një tur takimesh me efektivë të komisariateve të drejtorisë së Tiranës, për të diskutuar me ta dinamikën e zhvillimit të krimit dhe problematikën e punës, si dhe për t'u njohur me shqetësimet e përditshme të punës së efektivave blu në kryeqytet.


Lajmi bëhet i ditur nga burime të Drejtorisë së Policisë së Kryeqytetit, të cilët pohojnë se kryepolici Burgaj, ka parashikuar takime në të gjithë komisaratet e Tiranës, si dhe më pas në komisariate të ndryshme të vendit me qëllim njohjen nga afër të rezultateve të punës së strukturave të hetimit të krimit në vend.


Seria e takimeve të kryepolicit Burgaj, pritet të nisë gjatë ditës së nesërme në komisariatet e Policisë nr.1 dhe nr.4, të kryeqytetit, duke qenë se këta dy komisariate mbajnë mbi supe një dinamikë të konsiderueshme me një territor dhe një popullsi relativisht ndër më të mëdhatë në vend.


Hetimi i krimit


Burimet e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, pohuan dje se kryepolici Burgaj, në takimet që do të ketë, do të përqendrohet më tepër në diskutimin e çështjeve që kanë të bëjnë me hetimin e krimit dhe me strukturën e re të vënë në funksion gjatë gjysmës së dytë të këtij viti në Tiranë.


Struktura e re e hetimit të krimit, kryesisht të veprave penale dhe elementëve kriminale me tendencë vjedhjen dhe krimet kundër pronës, u pa si domosdoshmëri, duke qenë midis strukturës së hetimit dhe parandalimit të krimit dhe strukturës së hetimit të krimeve kundër pronës në komisariat kishte një përplasje sa i përket shërbimeve dhe kompetencave


Kjo strukturë e re e ngritur shkriu në një të vetme dy strukturat e mëparshme duke bërë që edhe shërbimet përkatëse të bashkoheshin me qëllim që të kishin më shumë efektivitet.


Takimet


Pikërisht mbarëvajtja e hetimit të krimeve që ndiqen nga komisariatet pritet të jetë në qendër të diskutimeve që Drejtori i Përgjithsëm Burgaj, pritet të ketë me strukturat përkatëse në komisariatet e Tiranës. Në to pritet të diskutohet efektiviteti i strukturës së re momentet ku ajo ka çaluar.


Mësohet se takimet do të nisin gjatë ditës së sotme me komisariatin e Policisë nr.1 dhe më pas që kreu i Policisë të kalojë në takim në Komisariatin nr.4, po gjatë ditës së nesërme.


Ndërkaq në dy ditët e ardhshme, pritet që të mërkurën Burgaj të zbresë për të njëjtën çështje në komisariatet nr.2 dhe nr.3, e më pas në komisariatet nr.5 dhe nr.6. Sipas burimeve mësohet se efektivët e Policisë si dhe strukturat e drejtuesit e hetimit të krimit, kanë përgatitur raporte të posaçme lidhur me ecurinë e hetimit të krimit në komisariate. Në fund të këtyre takimeve Burgaj, pritet të lërë edhe porosi të veçanta me qëllim përmirësimin e punës së strukturave përktëse.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›