E Diel, 1 Nëntor 2026

Prifti: Cilësia e karburanteve në vend do të ndryshojë shumë shpejt

Brenda një kohe të shkurtër, cilësia e karburanteve në tregun shqiptar do të ndryshojë. Me kronikat tona ne kemi përcjellë herë pas here shqëtësimin e konsumatorëve për cilësinë jashtë standarteve të lëndëve djegëse që përdorim për makinat tona. Nisur nga ky shqetësim Ministria e Ekonomisë dhe vetë importuesit kanë vendosur të ndërmarrin një plan masash për të ndryshuar situatën. Ministri i Ekonomisë Dritan Prifti në një intervistë për Klan fajëson tregtarët e vegjël për cilësinë e karburanteve që gjejmë në treg, të cilët sipas tij, për të patur përfitime më të mëdha financiare, bëjnë përzjerje të lëndës djegëse që vjen me cilësi të lartë nga importi me lendë të tjera me kosto të ulët.
Por cilësia nuk është i vetmi shqetësim i konsumatorëve shqiptarë. Drejtuesit e automjeteve në Shqipëri blejnë karburant me një cilësi që lë shumë për të dëshiruar dhe me çmim nga më të lartit në rajon. Përveç masave për të kontrolluar cilësinë e karburanteve në treg, ministri i ri i ekonomisë ka dhe një projekt për të kontrolluar çmimet e tyre.
Deri më tani në tregun shqiptar të hidrokarbureve çmimet rezultojnë të jenë më të lartat në rajon dhe në botë. Ndërsa rritja e çmimeve në tregun botëror të karburanteve reflektohen në mënyrë të menjëherëshme në tregun vendas nuk ndodh e njejta gjë kur në tregjet e huaja çmimet bien në dysheme.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›