Prifti: Dorëhiqem nëse e kërkon Berisha dhe Meta
14/01/2010 Kërkesë për debat
Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Dritan Prifti i është përgjigjur dje akuzave të opozitës për korrupsion, si dhe kërkesës së vazhdueshme të saj për dorëheqje. Në një reagim publik ministri Prifti ka ftuar kreun e opozitës Edi Rama që të caktojë një prej ekspertëve më të mirë të tij për të debatuar në një prej mediave elektronike në vend, në lidhje me përmbytjet dhe situatën e krijuar në veri të vendit. Duke shprehur edhe njëherë angazhimin e tij për transparencë në lidhje me gjithçka ka ndodhur, ministri i Energjetikës, Dritan Prifti ka deklaruar se të vetmit që mund t’i kërkojnë dorëheqjen janë kryeministri i vendit, Sali Berisha dhe zëvendëskryeministri, njëkohësisht kreu i LSI-së, Ilir Meta. “Të drejtë ligjore e të drejtë morale për të kërkuar dorëheqjen time në detyrë kanë vetëm dy persona, njëri quhet Sali Berisha dhe është kryeministri i vendit dhe vetëm ai ka të drejtën ligjore dhe morale të gjykojë punën time se si e kam bërë dhe të kërkojë pastaj dorëheqjen, apo të më falënderojë për punën siç më ka falënderuar. Personi i dytë quhet Ilir Meta”- deklaroi Prifti. Në reagimin e tij publik, ministri Prifti i ka bërë ftesë kreut të opozitës që të zgjedhë një person për të argumentuar çdo akuzë në një debat të hapur. “Zoti Rama zgjidh njeriun më të mirë që ke në stafin tënd dhe unë e ftoj të dalë me mua në debat publik, zgjidhni televizionin, studion dhe moderatorin dhe t’ju tregojmë të gjithë shqiptarëve se si kemi vepruar. Në qoftë se nuk ke guximin të vësh përpara meje njeriun tënd më të mirë që të bëjë transparencë përpara të gjithë shqiptarëve atëherë pusho, mos shpif, mos trillo”- tha ministri Prifti. Sipas tij, çdo gjë është e dokumentuar, çdo lloj informacioni, çdo lloj ndryshimi, çdo lloj urdhri që mund të jepet nga kushdo, për sistemin energjetik. Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës siguroi se gjendja në kaskadën e Drinit është rikthyer në normalitet dhe se është kaluar me sukses, një situatë shumë e vështirë. “Ajo që ndodhi është diçka që ndodh një herë në 100 vjet dhe nuk besoj se brenda tre ditëve do të përsëritet e njëjta gjë. Japim garanci se do ta përballojmë çdo lloj situate dhe ashpërsimi tjetër klimaterik në vend”, - tha Prifti.