KEK: Nuk kemi shitur energji në Shqipëri
14/01/2010 KESH ndërpret depozitimet në Kosovë
KEK-u vetëm ka shkëmbyer energji me Shqipërinë dhe nuk ka pasur asnjë shit-blerje mes tyre. Kështu ka bërë të ditur KEK-u, kompania kosovare e energjisë, e cila ndër vite bashkëpunon me KESH-in në fushën e shkëmbimeve të energjisë elektrike. Ajo ka bërë të ditur nëpërmjet një njoftimi për shtyp se që prej datës 26 dhjetor, ka marrë nga Shqipëria pavarësisht nga ora dhe dita deri në 300 megavat, në bazë të marrëveshjeve KEK-KESH për shkëmbime të energjisë elektrike. “KEK njofton se nuk ka shitur energji elektrike në Shqipëri gjatë muajit dhjetor, përveç kthimit të një sasie shumë të vogël të borxhit në energji KESH-it. Për informimin e drejtë të publikut, KEK-u njofton se bëhet fjalë për një sasi të energjisë fare të vogël. Kjo do të thotë që informatat e publikuara në media të ndryshme për sasi të mëdha të energjisë, kinse të shitura KESH-it nga ana e KEK-ut janë të pasakta”,- thekson njoftimi i KEK-ut. Edhe drejtori i përgjithshëm i KESH-it, Muharrem Stojku, theksoi dje se Shqipëria ka nisur depozitimet e energjisë drejt Kosovës prej datës 26 dhjetor, deri dje, kur përfundoi marrëveshja me vendin fqinj. “Vetëm gjatë këtij muaji, ne kemi depozituar në Kosovë rreth 61 milionë kilovat orë ose mesatarisht rreth 5.1 milionë kilovat orë në ditë”,- ka deklaruar Stojku. KESH-i ka nxjerrë për shitje 10.4 milionë kilovat orë, që do të blihet nga katër kompanitë e shpallura fituese në tenderin e datës 10 janar, EFT, EGL, Ezpada dhe Rudnap.