E Shtunë, 31 Tetor 2026

Këshilltarët e majtë dhurojnë pagën mujore

14/01/2010  Bashkia hap kutinë për mbledhjen e ndihmave
Bashkia e Tiranës ka iniciuar gjatë ditës së djeshme fushatën e mbledhjes së fondeve që do të shkojnë në ndihmë të banorëve në zonat e përmbytura të qarkut të Shkodrës. Para këtij institucioni është vendosur jo vetëm kutia e mbledhjes së ndihmave financiare, por dhe stenda të shumta me foto të marra nga zonat e përmbytura, nëpërmjet të cilave synohet sensibilizimi i kryeqytetasve për dhënien e kontributit të tyre në ndihmë të banorëve. Në hapjen e fushatës së sensibilizimit ishte edhe kreu i bashkisë Edi Rama, i cili ka pohuar se edhe në të gjitha njësitë e qeverisjes vendore janë instaluar kutitë për mbledhjen e fondeve në ndihmë të këtyre zonave. Ndërsa këshilltarët e grupit socialist të bashkisë kanë vendosur të japin si kontribut pagën mujore për mbështetjen e zonave të përmbytura. “Ne kemi vënë në dispozicion të kësaj lëvizjeje qytetare të gjithë punonjësit dhe punonjëset e shërbimeve tona sociale, po ashtu njësitë bashkiake janë të angazhuara me të gjitha mundësitë e tyre dhe jam i bindur se edhe komuniteti, i cili ka filluar t’i përgjigjet shumë pozitivisht kësaj nisme, do të vazhdojë të shtojë kontributin në të gjitha format dhe në të gjitha rrugët për të mbërritur te çdo familje në nevojë, në mes të asaj katastrofe humanitare, mesazhi i solidaritetit, mesazhi i shpresës, mesazhi i së nesërmes”, - ka deklaruar kryebashkiaku Rama.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›