E Diel, 1 Nëntor 2026

Prifti: Filluam eksportet e energjisë

Ministri i Energjetikës, Dritan Prifti, ka qenë paraditen e djeshme në Hidrocentralin e Vaut të Dejës për të parë situatën hidrike pas shirave të ditëve të fundit. Në një prononcim për mediat, Dritan Prifti tha se kishte ardhur për të monitoruar situatën. "Janë marrë të gjitha masat dhe situata është nën kontroll të plotë. Hidrocentrali i Vaut të Dejës është duke punuar me kapacitet të plotë dhe të gjitha turbinat janë në punë. Ka pasur prurje rreth 600 metra kub për sekondë. Kemi dhënë porosi që importimi i energjisë elektrike të shkojë drejt zeros. Kemi kontaktuar kompanitë e huaja që gradualisht të mbyllet importi për këtë periudhë, ndërsa kemi filluar nga sot eksporte në nivelin 2.5 milionë kWh në ditë". Sipas Priftit, ka mundësi që gjatë ditëve të ardhshme sasia ditore e energjisë së eksportuar të dyfishohet.
I pyetur nga gazetarët për bashkëpunimin me Kosovën në fushën e energjetikës, ministri Prifti ka pohuar: "Me Kosovën kemi një projekt të përbashkët për shkak se në Kosovë prodhimi i energjisë është termo, ndërsa te ne prodhimi i energjisë elektrike është hidro. Ky fakt na jep mundësi për bashkëpunim. Në takimet tona do të jenë dhe projektet e përbashkëta në ndërtimin e hidrocentraleve".

Ardi Hoti

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›