E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prifti: Kosova mori energji, vetëm për të na ndihmuar

Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Dritan Prifti pas takimit me ministren e Energjisë dhe Minierave të Kosovës, Justina Shiroka Pula  u shpreh gjatë dy muajve të fundit i kemi dhënë energji Kosovës. Ai theksoi se deklaratat për import energjie janë të pavërteta, duke shtuar se energji është importuar vetëm gjatë periudhës së verës. KESH-i ka një marrëveshje ekzistuese me OSSH-në sipas të cilës korporata e furnizon kompaninë e privatizuar

 deri në masën 70 për qind të energjisë që ajo konsumon sot dhe pjesën tjetër OSSH-ja me marrëveshje ka të drejtë ta importojë por ka të drejtë ta marrë edhe nga KESH-it. Kjo bëhet nëpërmjet tenderave dhe unë kam udhëzuar KESH-in që në tenderin e ardhshëm të OSSH-së të marrë pjesë dhe të ofrojë më shumë se sa 70 për qind të energjisë që ka me marrëveshje. Pra të ketë mundësi që edhe pjesën tjetër të energjisë tia japë OSSH-së, u shpreh ministri Prifti. Ndërsa theksoi se çmimi me të cilin OSSH-ja blen energji është më pak se sa gjysma e çmimit, që KESH-i mund ta shesë energjinë në tregun rajonal. Sipas tij dhënia e energjisë më shumë se sa kontrata për OSSH-së nuk ka ndonjë interes të madh financiar për KESH-in, por në kushtet kur ka prodhim të tepërt nga KESH-i dhe në kushtet kur tregua rajonal mund të mos ketë uri për ta siguruar gjithë energjinë e tepërt të KESH-it, mund të ketë kuptim që të furnizohet OSSH-ja më shumë se sa kontrata ekzistuese. Ndër të tjera ai falënderoi mbështetjen që ka dhënë Kosova, për periudhën e vështirë që po kalon veriu i Shqipërisë. Vizita e zonjës Pula kryesisht është për të treguar solidaritetin ndaj situatës së përmbytjeve që është krijuar në Shkodër, për tu solidarizuar me njerëzit që kanë pasur pasoja negative për shkak të përmbytjes nga fatkeqësia natyrore. Për tu solidarizuar me punën e qeverisë, punën e strukturave tona, por në këtë kontekst ne e kemi zgjeruar bisedën përtej efekteve të momentit, kemi diskutuar për bashkëpunimin dypalësh mes ministrisë tonë të energjetikës dhe ministrisë së energjetikës së Kosovës, midis kompanive tona energjetike shqiptare dhe atyre të Kosovës, tha më tej kreu i METE. Gjithashtu ai theksoi se  Kosova ka ndaluar prodhimin në një TEC të saj për të pranuar prodhimin nga Shqipëria në kushtet kur ne kishim teprica ujërash dhe duhet të prodhonim në maksimum. Kjo gatishmëri e Kosovës, e ndërmarrjeve atje për të ndihmuar sistemin tonë energjetik dhe ndërmarrjet tona energjetike në këtë periudhë nga ne është vlerësuar shumë, sepse ka qenë vërtet një ndihmë e madhe, kur ne mesatarisht çdo ditë i kemi dhënë Kosovës rreth 6 milionë kilovat/orë energji, prodhim i cili ka qenë i nevojshëm për tu bërë në mënyrë që të shkarkonim ujërat e tepërta në tre hidrocentralet tona në kaskadën e Drinit, përfundi ministri Prifti.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›